Vrasja e 49-vjeçares Lirie Xhepa, në formën siç e rrëfyen dje në Polici dhjetëra dëshmitarë, duket si një krim i paralajmëruar.

Viktima me bashkëshortin e ndjerë
Viktima me bashkëshortin e ndjerë

Ndonëse ajo nuk e kishte adresuar asnjëherë në Polici dhunën dhe kërcënimet që kishte marrë nga kunati i saj Dashamir Xhepa, me të cilin sipas të gjitha të dhënave kishte një lidhje intime, duket se vazhdimisht ka jetuar me frikë. E frikësuar nga vëllai i burrit të saj të ndjerë, që vazhdimisht kishte ushtruar dhunë ndaj saj, por edhe nga djemtë e vet se mos e merrnin vesh lidhjen e fshehtë.

VIktima me burrin e ndjere dhe autori i krimit
VIktima me burrin e ndjere dhe autori i krimit

Madje, vitin e kaluar ajo ishte ankuar dy herë te një punonjës policie, duke i thënë se donte t’i jepte fund kësaj lidhjeje, pasi dhunohej sistematikisht nga kunati. Megjithatë, ajo nuk kishte pranuar që të bënte kallëzim kundër tij, edhe nga frika e ndonjë hakmarrjeje të mundshme, por edhe nga turpi.

Banorët e zonës ku ndodhi ngjarja, disa prej të cilëve janë marrë në pyetje dje në Polici, janë shprehur se të gjithë ishin në dijeni të lidhjes intime. Madje edhe të dhunës së vazhdueshme që ushtrohej ndaj 49-vjeçares, por askush nuk fliste. Madje, asnjëri nuk e kishte marrë mundimin që t’i telefononte një herë të vetme Policisë.

HISTORIA

Gjithçka duket se ka nisur në vitin 2008. Pak kohë pasi bashkëshorti i viktimës, Bujar Xhepa, ishte ndarë nga jeta nga një sëmundje e rëndë. Ajo mbeti e ve në një moshë të re dhe u detyrua të rriste e vetme 4 djemtë që mbetën jetimë, ku më i madhi sot s’i ka mbushur ende 30 vjeç.

E papunë, duke punuar gjithë jetën në blegtori, prej dy muajsh ajo kishte filluar punë në një fabrikë këpucësh e çantash në Kombinat. Ndërsa atëherë kur kishte më shumë nevojë për mbështetje, 11 vite më parë, u përball me probleme e dhunë të vazhdueshme nga kunati i saj Dashamir Xhepa. Burime nga Policia thanë se në vitin 2008 ajo u paraqit me dëmtime të shumta fizike në spital, por kur u mor në pyetje, deklaroi se kishte rënë nga shkallët. Por gjithçka u zbulua pasi inspektori i zonës zbuloi një gëzhojë armë zjarri pranë shtëpisë së saj. Më pas, ajo pranoi se shkaktar i dhunës së ashpër ishte kunati, Dashamir Xhepa.

KONFLIKTI

Për një konflikt pronësie, pas vdekjes së burrit, kunati e kishte rrahur, madje edhe kërcënuar me jetën e djalit. Në fund kishte nxjerrë armën, duke ia drejtuar nipit të tij dhe kishte qëlluar në ajër. Nuk dihet ende me saktësi, se kur ka filluar lidhja intime e saj me kunatin dhe a ka qenë e detyruar ajo pas këtij momenti për të pranuar kushtet e tij që të mos kishin më konflikte.

Megjithatë, dëshmitarët thanë se prej një kohe të gjatë kanë qenë në dijeni të lidhjes, madje edhe të dhunës. Policia nuk e gjeti në shtëpi Dashamir Xhepën, i cili tashmë është shpallur në kërkim ai autor i vrasjes së 49-vjeçares. Ai ishte beqar dhe jetonte i ndarë nga vëllezërit e tjerë. Ndërsa, sipas Policisë, kishte qenë i proceduar më parë, kur në vitin 2008 u mësua se kishte dhunuar kunatën.

PANORAMA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re