NIKOLETA KOVAÇI/ Një shtetas anglez i cili ka parë gjithë skenën e krimit në ambientet e restorantit ku ndodhi vrasja e Ardian Nikulajt duket se ka hyrë në “telashe” me prokurorinë e Lezhës.

Ai ka shkuar i shokuar në hotelin ku kishte vendosur të qëndronte 5 ditë dhe në bisedën që ka pasur me të zotin e atij hoteli ai i ka thënë se s`do të kthehej kurrë më në Shqipëri.

Ai, pak çaste pas krimit, ka marrë një makinë, taksi, dhe është larguar në drejtim të Rinasit, por policia e ka pikasur ditë më vonë lëvizjen e tij. Edhe pse është i dukshëm fakti se vrasësi është shqiptar, policia bën me dije se ka kërkuar të gjejë mundësinë e marrjes së një dëshmie për shtetasin britanik i cili ka ikur i tmerruar nga Shëngjini, vend të cilin e frekuentonte shpesh, pasi siç edhe i ka thënë pronarit të hotelit ai s’do të kthehej kurrë më!

Grupi hetimor ende nuk është i qartë se përse iu duhet dëshmia e shtetasit britanik, pasi të gjitha të dhënat që janë përftuar në vendin e ngjarjes nuk bëjnë me dije përfshirjen e ndonjë personi të dytë në atë krim, por i referohet vetëm një individi, akti i të cilit të krijon idenë e një sipërmarrjeje krejt vetjake. Referuar të dhënave policore saktësohet se ende nuk është siguruar ndonjë dëshmi që ka të bëjë me hedhjen dritë mbi motivet ngjarjes dhe identifikimin e autorit të ngjarjes. Mirëpo, policia, duke iu referuar disa pamjeve të sekuestruara ka dyshimin se atentatori mund të ketë lëvizur në drejtim të Shkodrës, ndonëse në kthim asnjë kamera nuk e ka fiksuar me të njëjtin mjet që lëviz në Lezhë dhe me të njëjtën veshje!

DYSHIMET E POLICISË

Edhe pse policia, në fakt, nuk e ka të qartë se nga ka lëvizur personi që u pikas dhe që i ngjante vrasësit të biznesmenit Ardian Nikulaj, dyshimet janë se ai ka marrë rrugën e Shkodrës dhe destinacion final ka pasur pikërisht Shkodrën.

Kjo me sa duket del nga një mori pamjesh që janë fiksuar në ditë dhe data të ndryshme kur është parë të lëviz në zonën e Kryebushatit një person me rroba policie, i vetëm me motor. Por policia ende nuk ka mundur të identifikojë asnjë person të dyshuar që është pikasur nga pamjet filmike të bizneseve në rrugën që lidhe Shkodrën me Lezhën.

Por, sipas të dhënave jo zyrtare, policia e Lezhës në bashkëpunim me atë të Shkodrën kanë nisur verifikimet e lëvizjeve të një personi që dyshohet i përfshirë në një nga atentatet më të bujshme të ndodhura në qytetin verior më shumë se një dekadë më parë. Kërkimet për këtë person, i cili doli i pastër nga akuzat që iu bënë për vrasjen e asokohshme, mësohet se nuk është bërë publik pasi policia nuk gjen motiv për të bazuar dyshimin, pasi fillimisht dyshimet e policisë u fokusuan konkretisht tek pista e hakmarrjes. Edhe pse viktima nuk ka qenë ndonjëherë i hetuar apo i akuzuar për vrasje, Policia e Lezhës, për tri ditë me radhë kërkoi të binte në gjurmë të ndonjë personi të familjes Lekstakaj në dy fshatra të Lezhës, por në fakt ata rezultojnë që nuk kanë hyrë në Shqipëri prej shumë e shumë vitesh. Po ashtu edhe një familje tjetër që u tha se ishin konfliktuar fizikisht me Nikulajt, refuzuan të ishin pjesë e asaj ngjarjeje dhe madje kërkuan që t‘i përgjigjen edhe sipas Kanunit familjes së viktimës. Ndërkohë që priten dëshmi të tjera nga ana e familjarëve të afërt të viktimës, por edhe të miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij.

HETIMET

Të vetmit mekanizma që kanë mbetur në duart e hetuesve të ngjarjes së rëndë të së enjtes ku u vra biznesmeni dhe anëtari i Këshillit Bashkiak të Lezhës, janë kamerat e sigurisë së bizneseve përgjatë aksit rrugor Shëngjin-Lezhë dhe Lezhë-Shkodër. Duke ndjekur një vijë logjike të mundësisë për tu larguar të atentatorit apo atentatorëve, bëhet me dije se janë sekuestruar me dhjetëra orë pamje filmike, për disa ditë me radhë para ngjarjes së rëndë.

Janë një mori të dhënash që lidhen me mënyrën se si është zhdukur vrasësi si dhe me vendin se ku ka humbu gjurmët ku nuk del në kamerat e bizneseve dhe të ndonjë banese që kanë marrë përsipër të kontrollojë policia, por deri më tani asnjë gjurmë e tij nuk është pikasur konkretisht në asnjë vend të atij aksi dhe të asnjë aksi tjetër rrugor. Përveç momentit që është parë në kamerën e biznesit të viktimës dhe që lidhet me ekzekutimin, Policia ende nuk ka një informacion të saktë se kur dhe nga ka lëvizur autori. Tendenca për ta kanalizuar ngjarjen në hakmarrje, ndonëse pa asnjë të dhënë konkrete, i dha kohë vrasësit të zhdukej qetësisht, po me të njëjtën qetësi që hyri në ambientet e Koral, në të njëjtën kohë me shënjestrën e tij teksa i mori edhe jetën.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re