Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dënoi ditën e djeshme me 7 vite burg Arbër Paplekajn, ish-efektivin e RENEA-s, i cili u arrestua për vrasjen e biznesmenit Pjerin Xhuvani, 4 ditë para zgjedhjeve të 25 prillit 2021 në qytetin e Elbasanit.

Me vendimin e djeshëm, trupa e gjykuese e përbërë nga Fatri Islamaj, Enida Petri dhe Marsela Pepi ndryshoi vendimin e Gjykatës së Elbasanit, e cila më 22 korrik 2023 e dënoi me 22 vite burg, duke u ulur 15 vite nga dënimi. Gjykata e Apelit ndryshoi akuzën nga “Vrasje në rrethana cilësuese” në “Vrasje në kushtet e tronditjes psikike”. Po kështu, Apeli ka dhënë pafajësi për 6 efektivët e “Shqiponjave” Dedion Duraku, Pëllumb Biçaku, Erion Balla, Erion Meçja, Donald Dedja dhe Besmir Kadiu.

Për ta, Gjykata e Elbasanit kishte dhënë dënimin me 16 muaj shërbim prove. Të pafajshëm janë shpallur edhe dy ish-zëvendësdrejtorët e Policisë së Elbasanit, Albert Nushi dhe Nikollaq Palla për të cilët Gjykata e Elbasanit kishte dhënë nga 1 vit shërbim prove për secilin.

VENDIMI

“Në përfundim të gjykimit, sot më datë 01.07.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me relatore gjyqtare znj. Marsela Pepi dhe anëtare znj. Edlira Petri dhe z. Fatri Islamaj, vendosi:

1- Ndryshimin e vendimit nr. 347, datë 12.07.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.

2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Arbër Paplekaj për veprën penale “Vrasje e kryer në kushtet e tronditjes se forte psikike”, të parashikuar nga neni 82 i Kodit Penal, në dëm të viktimës nga vepra penale P. Xh dhe dënimin e tij me 7 (shtatë) vjet burgim.

3. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurve, Albert Nushi dhe Nikollaq Palla, Dedion Duraku, Pëllumb Biçaku, Erion Balla, Erion Meçja, Donald Dedja dhe Besmir Kadiu për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Deklarata e rreme para oficerit të policisë gjyqësore”, të parashikuara përkatësisht nga nenet 248 dhe 305/b të Kodit Penal.

4. Prishjen e vendimit nr. 347, datë 12.07.2023 të Gjykatës së Shkalles së Pare të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan dhe pushimin e çështjes vetëm për të pandehurin Erion Balla, për shkak përjashtimi nga ndjekja penale në zbatim të ligjit nr. 33/2024 ‘Për dhënie amnistie’”, – thuhet në vendimin e gjykatës.

NGJARJA

Vrasja e Pjerin Xhuvanit, përkrahës i PS, ndodhi më 21 prill 2021, 4 ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021. Ngjarja ndodhi pas përplasjes mes shtabeve elektorale, ku struktura informale e ngritur PD-ja për të mbrojtur votat ndaluan makinën e Mehmet Greçës, pasi ai kishte në mjet jo vetëm para për të shpërndarë për blerje votash, por madje edhe listat e zgjedhësve.

Ky i fundi u tha se thirri në ndihmë Pjerin Xhuvanin, i cili mbërriti aty dhe fatkeqësisht humbi jetën në atë shkëmbim zjarri. Policia dhe prokuroria e Elbasan thanë se gjithçka ndodhi pas një sherri verbal mes palëve ku u vra Xhuvani dhe u plagosën 4 persona të tjerë, Paulo Vuksani, Emiljano Prenga, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re