Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka vendosur të përsërisë pjesërisht shqyrtimin gjyqësor për dosjen lidhur me vrasjen e ish-zyrtarit në Elbasan, Pjerin Xhuvani.

Gjykata pranoi sot kërkesën e Arbër Paplekaj, për kryerjen e një ekspertimi kriminalistik nga ekspertë të fushës në lidhje me vrasjen e Xhuvanit.

Për rrjedhojë Apeli vendosi të marrë informacion në lidhje me dy shtetasit, të cilët akuzohen për “Dëshmi të rreme”, kryer në gjykimin e zhvilluar në Gjykatën e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan si dhe të merret informacion mbi vijimin e procedimit penal të pezulluar për personat, që kanë qëlluar me armë zjarri në vendngjarje.

“Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtare znj. Marsela Pepi, anëtarë z. Fatri Islamaj dhe znj. Edlira Petri, pasi dëgjoi ankuesit mbi shkaqet e ankimeve të paraqitura, si dhe prokurorin e apelit Z. Genti Xholi, me vendimin e ndërmjetëm, vendosi:

Të përsërisë pjesërisht shqyrtimin gjyqësor me qëllim marrjen e provave si më poshtë:

-Kryerjen e një ekspertimi kriminalistik nga ekspertë të fushës, duke pranuar kështu kërkesën e të pandehurit A.P.

-Të marrë informacion në lidhje me dy shtetasit, të cilët akuzohen për “Dëshmi të rreme”, kryer në gjykimin e zhvilluar në Gjykatën e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.

-Të merret informacion mbi vijimin e procedimit penal të pezulluar për personat, që kanë qëlluar me armë zjarri në vendngjarje“, thuhet ne vendmin e Gjykates.

Seanca e radhës per rastin do të zhvillohet më datë 18.03.2024, ora 13.30.

Kujtojmë se Arbër Paplekaj është dënar me 22 vite burg për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan 4 ditë para zgjedhjeve parlamantare të vitit 2021.

Dy ish- nëndrejtorët e Policisë së Elbasanit, Nikollaq Palla dhe Albert Nushi ,u shpallën fajtorë për shpërdorim detyre dhe dënimi me 1 vit burg iu konvertua në 1 vit shërbim prove. Me të njëjtën akuzë, 6 efektivë të forcave Shqiponja: Dedion Duraku, Pëllumb Biçaku, Erion Balla, Erion Meçje, Donald Dedja dhe Besmir Kadiu, u shpallën fajtor dhe dënimi me 1 vit burg iu konverta në 16 muaj shërbim prove.

Pas kryerjes së krimit në 2021, Paplekaj pranoi krimin dhe u vetëdorëzua në Repartin e Forcave RENEA në Tiranë duke thënë se qëlloi për vetëmbrojtje pasi u godit më parë nga persona që sipas tij po blinin vota.//

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re