ELBASAN- Ka mbërritur nën masa të rrepta sigurie në gjykatën e Elbasanit Arbër Paplekaj. Gjykata pritet të japë sot vendimi për dënimin e tij, për vrasjen e Pjerin Xhuvanit, ngjarje e ndodhur pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021.

Si ndodhi ngjarja

Ngjarja ndodhi në lagjen “5 Maj” të qytetit të Elbasanit. Nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i vrarë aktivisti i Partisë Socialiste, Pjerin Xhuvani ndërsa të plagosur mbetën një efektive policie Xhensila Sota, edhe tre persona të tjerë.

Përplasja me armë ndodhi për shkak të zgjedhjeve. Struktura e Mbrojtjes së votës e ngritur nga PD pretendonte se makina e shtabit të PS-së është kapur duke shpërndarë para në këmbim të votës. Pas konstatimit të makinës, është thirrur edhe policia.

Në vendin e ngjarjes mbërriti më pas nëndrejtori i Policisë së Elbasanit, Abert Nushi dhe disa efektivë të Shqiponjave. Pas mbërritjes së policisë, në vendngjarje erdhi edhe një automjet me simpatizantë të PS-së.

Në këtë moment ka nisur edhe shkëmbimi i zjarrit mes palëve. Pak minuta pas ngjarjes u vetëdorëzua në policia ish-efektivi i RENEA-s Arbër Paplekaj, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë ndaj Xhuvanit gjatë shkëmbimit të zjarrit. Ky i fundit ka thënë vazhdimisht se ka qëlluar për vetëmbrojtje./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re