Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka marrë vendimin për të shtuar forcat e KFOR në Kosovë, pas sulmit nga serbët, ku mbeti i vrarë polici i Kosovës, Afrim Bunjaku.

 

Ky komunikim i shefit të NATO-s u bë publik sot pas mbledhjes së Këshillit të Atlantikut të Veriut ku u diskutua për situatën në Kosovë.

 

“Që nga maji, ne kemi përmirësuar praninë dhe qëndrimin e KFOR-it. Vetëm dje Këshilli i Atlantikut të Veriut autorizoi forca shtesë për të adresuar situatën aktuale”, tha Stoltenberg.

Në njoftim thuhet se aleatët kanë shprehur shqetësimin e tyre të thellë për tensionet në rritje në veri të Kosovës.

 

“Ne gjithmonë do të vazhdojmë të sigurohemi që komandanti ynë të ketë burimet dhe fleksibilitetin e nevojshëm që KFOR-i të përmbushë mandatin e tij. Ne jemi të gatshëm të bëjmë rregullime të mëtejshme në qëndrimin e KFOR-it sipas nevojës”, ka thënë Stoltenberg.

 

KFOR-i, tha ai, vazhdon të koordinohet ngushtë me të gjitha palët relevante të interesit në Kosovë dhe Serbi, “si dhe me EULEX-in, OSBE-në, UNMIK-un dhe komunitetin diplomatik”.

“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që urgjentisht të ulin tensionet. Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. Ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin në rajon”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

 

Në deklaratën e shefit të NATO-s, thuhet se KFOR-i gjithmonë do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.

 

“Ne e bëjmë këtë në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me mandatin tonë të OKB-së”, tha Stoltenberg.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re