Të paktën 1,400 punonjës të kujdesit shëndetësor janë vrarë në Gaza gjatë sulmit ushtarak 20-mujor të Izraelit. Këto sulme sistematike tregojnë se Izraeli po zhvillon një luftë kundër kujdesit shëndetësor në Gaza, që nuk mund të lejohet të vazhdojë, thotë Ndihma Mjekësore për Palestinezët (MAP).

Mjekët, infermierët, ndihmësit mjekësorë dhe kirurgët janë bombarduar në spitale, janë varrosur nën rrënoja ose janë shënjestruar qëllimisht në ambulancat e shënuara qartë. Komisioni Hetimor i OKB-së ka thënë se këto sulme përbëjnë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit me qëllimin e shfarosjes.

Dr. Khaled Al-Shawa, një kirurg në Gaza, tha: “Pas 19 muajsh, ajo që ndiej më shumë është pafuqia. E gjithë kjo kohë ka kaluar, e megjithatë ne ende qëndrojmë para pacientëve dhe nuk mund të mos i shohim të vdesin. Ne jetojmë nën kërcënim të vazhdueshëm. Askund nuk jemi të sigurt. Në çdo moment, mund të jemi shënjestër. Si ekipe mjekësore, kemi humbur kaq shumë. Unë vetë humba nënën time dhe shumë të afërm të tjerë gjithashtu.

Rreziku që na rrethon është i madh. Mesazhi im është i njëjti që e kemi përsëritur për më shumë se një vit e gjysmë: ekipet mjekësore që vazhdojnë të kujdesen për pacientët duhet të mbrohen. Siguria e tyre duhet të garantohet dhe simbolet që ata mbajnë, të cilat i shënojnë qartë si ekipe mjekësore, duhet të respektohen. Kjo është e shenjtë. Duhet të ndërmerren veprime urgjente për të mbrojtur punonjësit mjekësorë.”

Në mars (2025), forcat izraelite vranë Osama Al-Bali – një ndihmës mjekësor që punonte në Poliklinikën e Solidaritetit të MAP në Gaza – së bashku me gruan e tij dhe djalin e tyre 13-vjeçar, ndërsa ata strehoheshin në tendën e tyre. Po ashtu edhe sulmet që shkatërruan krejtësisht familjen e dy mjekëve që shërbenin në Gaza Alaa dhe Hamdi Najjar, të cilët sollën vdekjen e nëntë fëmijëve të tyre, si dhe vdekjen nga plagët e shumta të dr. Hamdi Al Najjar.

Ushtria izraelite ka vrarë gjithashtu katër mjekë gjatë një bastisje në Spitalin Kamal Adwan në Gazën veriore, kanë treguar dëshmitarët okularë në dhjetorin e 2024.

Shkatërrimi i sistemit shëndetësor po përkeqësohet më tej nga bllokada totale e Gazës nga Izraeli – duke ndërprerë aksesin në ushqim, karburant dhe ilaçe. Spitalet tashmë përballen me mungesa të mëdha ilaçesh dhe furnizimesh, por situata po bëhet gjithnjë e më katastrofike.

Ekipi i MAP ka raportuar se artikujt bazë të higjienës si sapuni janë jashtëzakonisht të pakët në të gjithë Gazën, përfshirë spitalet. Çdo ditë pa këto furnizime vë në rrezik më shumë jetë njerëzore.

Përgatiti në shqip: Roald A. Hysa

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko