Pas rastit më të fundit të vrasjes së një emigranti shqiptar në Greqi – 18-vjeçari Marios Isak – diplomacia shqiptare ka reaguar me dyshimin se këto vrasje, e katërta në dy javë, janë me sfond nacionalist dhe hakmarrës.

“MEPJ shpreh indinjatën e thellë për humbjen e jetëve të bashkëkombasve tanë, ndjenja këto që thellohen nga vonesat në zbardhjen e këture ngjarjeve nga autoritetet greke. MEPJ dënon ashpër sfondin e ekstremizmit dhe gjuhës së urrejtjes që ka shoqëruar këto ngjarje në vendin fqinj dhe i bën thirrje autoriteteve greke për dënimin dhe vënien fre të çfarëdo përpjekjeje të Agimit të Artë apo segmentëve të tjera ekstremiste për të cënuar sigurinë dhe dinjitetin e shqiptarëve që punojnë e kontribuojnë në vendin fqinj”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme.

Sipas Tiranës zyrtare, që pas rastit “Kaficas”, ka një fushatë presioni ndaj elementit shqiptar në Greqi.

“Nuk pranojmë kurrsesi të mësohemi as me thirrjet e tyre ksenofobe në kanalet e komunikimit dhe as me viktimizimin patetik e nacionalist të ndonjërit syresh që nuk lë rast pa sulmuar Shqipërinë në instancat evropiane. Në kushtet kur bashkëkombasit tanë po ndjejnë trysninë e një fushate të pashpallur urrejtjeje dhe dhune, MEPJ shpreh angazhimin e Shtetit shqiptar për t’i dhënë viktimave dhe familjeve të tyre mbështetjen e nevojshme ligjore dhe financiare për të mbrojtur të drejtat e tyre themelore, si pjesëtarë të komunitetit më të madh evropian që jeton, studion dhe kontribuon prej dekadash ne Greqi”, theksohet në deklaratë.

Raportet mes dy vendeve u acaruan që pas vrasjes së shtetasit minoritar Kostandinos Kacifas, nga ana e policisë shqiptare, pasi qëlloi pa asnjë arsye ndaj kësaj të fundit duke i shpallur deri luftë.  

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re