Ilir Selmani i arrestuar një ditë më parë nga Policia, ka dhënë dëshminë e tij lidhur me akuzën për vrasjen e Santiago Malkos. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se Selmani ka deklaruar se ka vetëm lidhje miqësie me Leonard Dukën, që njihet edhe si “kapoja” i klanit Duka, të akuzuar për vrasjen e Santiago Malko.

Ndër të tjera, 35-vjeçari ka thënë se nuk ishte dorëzuar në polici pas shpalljes së tij në kërkim, por kishte qëndruar i fshehur pasi i rrezikohet jeta nga kundërshtarët e tij dhe të Leonard Dukës.

Përsa i përket ekzekutimit të Santiago Malkos, Selmani është shprehur se nuk ka asnjë informacion në lidhje me këtë ngjarje, madje ai ka shtuar se ka dëgjuar vetëm në televizor të flitet për të.

“Me Leonard Dukën kam lidhje miqësie shumë vjeçare. Nuk e kam takuar prej shumë muajsh dhe nuk kam informacion për vrasjen e Santiago Malkos. Nuk e njoh fare, e kam parë vetëm në televizor që flitej për të. Prej muajsh kam qëndruar i fshehur dhe rrallë kur dilja lëvizja i armatosur, sepse më rrezikohet jeta nga kundërshtarët e mi dhe të Leonardit. Më kanë thënë se Ervis Martini do të më heqë qafe,”– mësohet të ketë thënë Selmani.

Ilir Selmani u vu në pranga një ditë më parë në zonën e Xhamllikut, pas 8 muajsh që ishte shpallur në kërkim nga policia. I njohur si boksieri, Selmani është pjesë e klanit Duka, dhe akuzohet se është një nga personat kyç, që mund të zbardhë ekzekutimin e Santiago Malkos, i cili u vra mbrëmjen e 27 gushtit ish-policin Santiago Malko. Selmani u prangos nga njësia e Shqiponjave bashkë me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë në këtë zonë, në një banesë ku jetonte atje bashkë me persona të tjerë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re