Ministri izraelit i Mbrojtjes Benny Gantz e përshkroi si “të gabuar” hetimin që, sipas raportimeve, ka filluar të kryhet në SHBA për vdekjen në maj të gazetares palestinezo-amerikane Shireen Abu Akleh, për të cilën akuzohet një pjesëtar i ushtrisë izraelite.

Sipas faqes amerikane të lajmeve Politico, Policia Federale e SHBA (FBI) ka filluar hetimin për vdekjen e Shireen Abu Akleh gjatë një operacioni të ushtrisë izraelite më 11 maj.

Vendimi i pazakontë, duke pasur parasysh marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve, erdhi pasi ushtria izraelite refuzoi të ndiqte penalisht ushtarin e akuzuar për vrasjen e korrespondentes së famshme të Al Jazeera-s.

FBI nuk pranoi të konfirmojë ose mohojë se rasti është nën hetim.

Në çdo rast, Gantz e bëri të qartë se ushtria izraelite nuk do të bashkëpunojë.

“Vendimi i marrë nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë për të kryer një hetim për vdekjen tragjike të Shireen Abu Akleh është një gabim”, tha ministri izraelit i Mbrojtjes përmes Tëitter.

Forcat e armatosura izraelite kryen një hetim “të pavarur” “me profesionalizëm” dhe gjetjet e tyre u “paraqitën” në detaje tek zyrtarët amerikanë, vazhdoi ai.

“Unë u kam përcjellë mesazhin përfaqësuesve amerikanë se ne do të qëndrojmë në krah të ushtarëve të ushtrisë izraelite, nuk do të bashkëpunojmë me asnjë hetim të huaj dhe nuk do të lejojmë ndërhyrje në hetimet tona të brendshme”, shtoi ai.

Gazetarja, e cila kishte veshur një jelek antiplumb që shkruante “Press” dhe një helmetë, u vra kur u godit në kokë nga një plumb teksa mbulonte një bastisje izraelite në një kamp refugjatësh në Jenin, në Bregun Perëndimor, territori palestinez i pushtuar nga Izraeli që nga viti 1967.

Ushtria izraelite pranoi për herë të parë në shtator se ekzistonte një “mundësi e madhe” që Shireen Abu Akleh të ishte vrarë me armë zjarri nga një prej anëtarëve të saj.

Përfaqësuesi i diplomacisë amerikane, Ned Price, kishte nënvizuar në atë kohë “rëndësinë” që Uashingtoni i kushton “caktimit të përgjegjësisë në këtë rast” për të shmangur përsëritjen e tragjedive të tilla. Megjithatë, disa ditë më vonë, kryeministri i atëhershëm izraelit Yair Lapid deklaroi se ishte kundër ndjekjes penale ndaj ushtarit të akuzuar për vrasjen e gazetares.

Vdekja e Shireen Abu Akleh shkaktoi një protestë globale.

Familja e gazetares dhe zyrtarët palestinezë kanë pretenduar se ajo u vra me dashje, duke hedhur poshtë pretendimet izraelite se ajo u vra nga luftëtarët palestinezë, ose më vonë se ajo ndoshta u vra nga një plumb qorr(izraelit) gjatë një shkëmbimi zjarri.

Al Jazeera fillimisht fajësoi Izraelin për vrasjen.

Dëshmitarët okularë siguruan se në pikën ku ndodhej korrespondentja – një nga më të njohurit ndërkombëtarisht, që mbulonte Lindjen e Mesme për dy dekada – dhe gazetarë të tjerë, nuk kishte asnjë luftëtar palestinez, as nuk kishte shkëmbime zjarri.

Zemërimi për vdekjen e saj u shtua nga policia izraelite që goditi njerëzit në funeralin e gazetares.

“Kemi kaluar gjashtë muaj të pafund, unë dhe familja ime, në kërkimin tonë për përgjegjësi dhe drejtësi”, tha mbesa e të ndjeres, Larin Abu Akleh, në një video të ngarkuar në Tëitter më 11 nëntor. “Ne vazhdojmë të ndjekim të gjitha rrugët e mundshme për llogaridhënie dhe shpresojmë se një ditë do të shohim drejtësinë për Shireen”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re