Nga: Floriar Arapi

Zgjohemi në mëngjes pak me vonesë se është pushim “Dita e Rinisë” dhe dëgjojmë në lajme se policia ka vrarë një të ri 25 vjecar, i cili kishte ikur me vrap sepse kishte thyer orarin e “shtetrrethimit”. Mendja më shkon në një ndodhi diku nga viti 91-92, kur isha me babin tim, duke udhëtuar në makinën e një kushëririt tim që shquhej për guxim. Teksa po kalonim një postobllok policie, ata bënë me shenjë që të ndalonim, ky (kushëriri im) i dha gaz makinës dhe u larguam me shpejtësi. E gjitha kjo, nuk kishte asnjë shkak, thjesht rebelim pa arsye. Më pas babi im që nuk ndaloi së keshilluari nipin e tij, për më shumë se 2 orë rrugë dhe një nga gjërat që i thoshte ishte, se policia mund të të qëlloj me automatik, në atë kohë policët mbanin pothuajse rregullisht automatik gjatë shërbimit apo postoblloqeve. Kushëriri im kundërshtonte, duke thënë që policia nuk qëllon më, në fakt ishte koha e ndryshimeve. Unë duke qenë i vogël vrisja mendjen, çfarë vepron polici kur largohesh nga postoblloku, të ndjek, të qëllon me automatik, apo të dyja.

Ky ishte standarti përgjatë diktaturës së komunizmit, nëse i ikje policisë, ata të qëllonin me armë. Tani mbas rreth 30 vjetësh të kujtohet dhe të lind e njëjta pyetje si me policët e diktaturës, a qëllon me armë polici nëse dikush ikën me vrap ? Para dy ditësh i thashë një djali 20 e pak vjeçar, se këtu përpara, policët ndaluan dikë dhe e gjobitën për maskë, ai tha “Ju thafshin këmbët, a nuk iku me vrap “. Domethënë ky djalosh, që me shumë gjasë do t’i iki me vrap policisë për t’i shpëtuar gjobës 3000 lekë, mund të jetë viktima e radhës nga policia. Kaq pak vlen jeta e shqiptarëve, saqë t’i vrasësh pse duan t’i shpëtojnë 3000 lekëshit apo sepse janë të rinj dhe mund të bëjnë çapkënllëqe apo veprime të papjekura ! Por, a është ky akt kriminal, vrasja e këtij të riu, një akt i izoluar ? Policia e Shtetit, menjëherë pas ngjarjes shprehu qartazi pozicionimin e saj, ajo nuk u radhit me viktimën, por u radhit me vrasësin. Fillimisht ajo nuk u tregua transparente me deklaratat e saj, gjë e cila në këtë rast ishte shumë e domosdoshme, pasi policia këtu nuk ishte akuzuese por e akuzuar për vepër penale. Ajo (policia) la më tepër që gjërat t’i nxirrnin mediat një nga një. Policia deklaroi që polici është ndjerë i kërcënuar, duke thënë që i riu i ka drejtuar armën, por armë nuk kishte në vendin e ngjarjes, pastaj u tha që diku 100 metra larg, u gjet një armë. Po si qënka ndjerë i kërcënuar dikush që ndjek dikë nga pas dhe s’ka armë me vete. Një herë u tha që godit me një plumb, pastaj doli që është goditur me dy plumba, një në kokë e një në shpatull, gjë e cila duket më shumë si rast ekzekutimi, sesa parandalim për vetëmbrojtje. Deklaruan që rrugica s’ka drita, ndërkohë që banorët e zonës deklaruan që rrugica ka drita. Të gjitha këto dhe dyshime të tjera, treguan qartazi që policia nuk po përpiqej të zbardhte të vërtetën, por po përpiqej të justifikonte antarin vrasës të saj, për ti’a lehtësuar sa të mundej rrethanat. Ky veprim i policisë bën që krimi i kryer nga polici i thjeshtë nuk është akt i izoluar. Pjesëmarrës në këtë krim është kupola e policisë së shtetit e cila u përpoq të fshihte krimin.

Ky akt nuk është akt i izoluar edhe për arsye të tjera. Rregullisht shohim mungesën e kompetencës nga ana e policëve, të cilët sillen në menyrë jo profesionale. Shpesh sillen me arrogancë, shprehin shenja rrugaçerie, bërtasin me zë të lartë, sillen si të fortë, kërcënojnë, rrahin qytetarët, e përdorin uniformën e policisë për të ushtruar presion mbi njerzit, të gjitha këto sjellje totalisht jo ligjore. A thua këta janë kriminelë apo policë ?! Duket që ky çedim vjen që në përzgjedhje por edhe më pas në trajnim. Në qofte se uniformën e policit, afrohet ta vesh një person me probleme të vazhdueshme me moralin, me çekuilibrim psiqik, ose që vuan nga sindroma e të fortit, mos u çudisni kur nesër polici për një fjalë goje të bëj vetëgjyqësi dhe ta vrasë te riun, të renë apo të vjetrin para tij. Policia e shtetit duhet të mësoj të jetë besnike ndaj shtetit dhe popullit të saj, ndaj fakteve dhe të vërtetës, dhe jo besnike ndaj një antari të saj.

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re