TIRANE-Dy ditë pas ngjarjes së rëndë në Kamëz ku humbi jetën Agim Buci dhe u plagos gruaja e tij, pasi i bënë rezistence grabitësve në dyqanin e tyre, policia ka shoqëruar dy nga autorët e dyshuar.

Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “BalkanWeb” se personat e shoqëruar kanë karakteristikat e personave që shfaqen ne pamjet e kamerave të sigurisë së marketit ku ndodhi ngjarja. Policia po punon për fiksimin e provave që vërtetojnë fajësinë, ndërsa po kryhet kontrolli i banesave te tyre.

Pas ngjarjes së rëndë, policia ka shoqëruar 30 persona.

Ngjarja: Në marketin “Gerti” në rrugën ‘OSBE’ janë futur 2 persona me bluza sportive me kapuç dhe kapele. Njëri prej tyre ka pasur pistoletë. Nën kërcënimin e armës ata kanë kërkuar paratë, por 52-vjecari ka refuzuar dhe ka tentuar ta bllokoje grabitësin e armatosur duke e kapur në bel.

Në atë moment ai është qëlluar në gjoks me armë. Bashkëshortja e tij, Merita ka tentuar ta mbrojë të shoqin duke sulmuar agresorët me thikë të cilën e kishte në dyqan. Thika u gjet në vendin e ngjarjes dhe u sekuestrua nga policia.

Gruaja është plagosur në këmbën e djathtë me një plumb. Po behet serish këqyrja e vendit të ngjarjes me dritë natyrale për të gjetur gëzhojën tjetër. Skenën e ka parë edhe fëmija 6-vjecar i çiftit i cili ndodhej ne market. Marketi ishte ne oborrin e shtëpisë së çiftit ku jetonte me 4 fëmijët. Marketi ka pasur kamera sigurie të cilat janë sekuestruar nga policia dhe do ndihmojnë për identifikimin e autorëve.

(d.d/BalkanWeb)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re