Qani Muça, polic në burgun e Peqinit, në dëshminë e tij ka zbardhur detaje mbi vrasjen e Arben Lleshit nga Sokol Mjacaj, brenda qelisë.

Sipas Muçës, të burgosurit kishin dalë për ajrim dhe më pas ishin sistemuar në dhoma. Kur Mjacaj nuk ishte kthyer në dhomë, ai thotë se aty kuptoi se Arben Lleshi ishte qëlluar.

Polici i burgut gjithashtu tha se nuk kishte dijeni se mes viktimës dhe autorit të kishte ndonjë konflikt, ndërsa theksoi se as për armën nuk kishte dijeni.

“Kam marrë turnin e parë në orën 07:00, i cili zgjat deri në orën 14:00, kur mbaron dhe orari i ajrosjes për të dënuarit. Në orën 12:00 me 14:00 ka qenë i planëzuar me grafik për ajrosje sektori 1 dhe dy. Në dhomën numër 9 të sektorit 1 qëndronte i dënuari Sokol Mjacaj, ishte akomoduar aty prej 3 ose 4 ditësh dhe qëndronte në dhomë me të dënuarin me inicialet E. U. Rreth orës 13:40 pasi isha në ambientet e ajrosjes, ngjitem në sektorin 1 i shoqëruar nga kolegu i ajrimit, Ilir Balla, shtetasi Sokol Mjacaj, i cili duke shkuar në dhomë i thotë përgjegjësit të sektorit Erjon Çilaj; mos të iki shoqëruesi poshtë se do dalë prapë”. Pasi u fut në dhomë për një moment doli prapë dhe zbriti poshtë.

Më pas u kthyen të dënuarit duke u sistemuar nëpër dhoma, ndërsa Sokoli nuk u kthye por më vonë kam kuptuar që ai kishte qëlluar me armë në drejtim të shtetasit Arben Lleshi. Detyra ime është që të mbikëqyr të dy sektorët, duke mbajtur komunikim me punonjësit e policisë së sektorëve dhe me përgjegjësit e hyrjes 1 të katit 2 B. Nuk kam dijeni që Sokoli të ketë pasur konflikt me Arbenin, madje ata qëndronin në kate dhe sektorë të ndryshëm. Ne nuk e kemi thirrur, mendoj se duhet të jetë ngjitur vetë. Jo nuk kam asnjë dijeni në lidhje me armën, nëse Sokoli e ka marrë diku apo t’ja ketë dhënë dikush. Nuk kam parë që të ketë marrë ndonjë gjë nga dhoma. Me rregullore të dënuarit kur dalin ose hyjnë në ajrim kontrollohen nga grupi i sigurisë dhe specialistët e trupës, por në mungesë të tyre në rastin konkret nuk janë kontrolluar.”, tha ai.

Çfarë ndodhi në burgun e Peqinit (15 dhjetor)

Sokol Mjacaj qëlloi për vdekje me armë të dënuarin me burgim të përjetshëm, Arben Lleshi brenda qelisë në burgun e sigurisë së lartë të Peqinit dhe plagosi shokun e tij të qelisë, Indrit Shaqja.

Ende mbetet mister fakti se si e ka siguruar armën 28-vjeçari, ndërsa 12 zyrtarë të burgut të Peqinit janë arrestuar nga policia.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re