Njëri nga të ndaluarit për ngjarjen në Kamëz ku mbeti i vrarë Agim Buci pranon se ka qenë autor i grabitjes. Ai ka treguar dhe vendin ku është pistoleta me të cilën u qëllua mbi çiftin Buci.

Gazetarja Dorjana Bezat raportoi për “BalkanWeb” se menjëherë pas dëshmisë, policia ka shkuar në vendin e treguar nga një prej autorëve dhe por kërkon armën e krimit.

“Pistoleten e kishim për të trembur ata të dyqanit që të na jepnin lekët. Nuk donim të vrisnim asnjë njeri por patëm frike se na kapi dhe qëlluam”, ka thënë një prej autorëve të krimit para policisë.

Të ndaluarit sipas informacioneve të para janë moshave 25 dhe 28 vjeç. Pikërisht për këtë çështje në orën 12:30 në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë do ketë konferencë për shtyp nga Drejtori i Policisë Vendore.

Dy ditë pas ngjarjes së rëndë në Kamëz ku humbi jetën 52-vjeçari Agim Buci dhe u plagos gruaja e tij, pasi i bënë rezistence grabitësve në dyqanin e tyre, policia shoqëroi dy nga autorët e dyshuar që kishin karakteristikat e personave që shfaqeshin ne pamjet e kamerave të sigurisë së marketit ku ndodhi ngjarja.

Pas kontrollit në banesën e tyre policia ka siguruar prova dhe bëri ndalimin e tyre. Sipas të dhënave, dy të akuzuarit janë me precedentë penalë.

(m.k/BalkanWeb)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re