Një 49 vjeçar shqiptar është arrestuar këtë të hënë në ambientet pranë punës së tij, fill pasi i mori jetën të shoqes 41 vjeçe, e cila ishte nënë e tre fëmijëve.

Photo imerazante.gr

Ngjarja e rëndë ndodhi në Zakinthos të Greqisë. 49 vjeçari e rrahu e më pas e qëlloi disa herë me thikë në gjoks të shoqen, ndërsa e ndjera humbi jetën në spital.

Media greke raporton se pas krimit 49 vjeçari ishte nisur për punë në një zonë ndërtimi në Keri, sikur të mos kishte ndodhur gjë.

Një ngjarje e paralajmëruar

Prej kohësh burrë e grua kishin grindje të forta, pasi siç shkruan Kathimerini, 49 vjeçari ishte patologjikisht xheloz për 41 vjeçaren. Të shumta kishin qenë rastet kur ky e kishte dhunuar fizikisht të shoqen, ndërsa kjo e fundit e kishte denoncuar në polici për dhunë në familje. Një urdhër i gjykatës (në qershor), ia kishte ndaluar 49 vjeçarit afrimin me të shoqen në një distancë prej jo më shumë se 100 metrash.

Por siç ka mësuar media greke, së fundmi gruas i kishte ardhur keq për të shoqin dhe e kishte pranuar sërish për të qëndruar në shtëpi me të e fëmijët, dy prej të cilëve janë ende të mitur, konkretisht një djalë 14 vjeçar e një vajzë 9 vjeçe.

Vrasja ndodhi pas mesnatës së të dielës (thekson Kathimerini) dhe u raportua nga fqinjët në banesën dykatëshe ku jetonte çifti. Këta të fundit kishin denoncuar disa herë burrin për dhunën që ai ushtronte ndaj të shoqes.

E vrau të shoqen teksa ishte në kërkim nga policia

Protothema ndërkohë, raportoi se rreth orës 08:00 të darkës, 49 vjeçari e kishte rrahur brutalisht të shoqen dhe më pas ishte larguar nga banesa. Gruaja kishte mundur të telefononte policinë duke njoftuar mbi ngjarjen.

Autoritetet ishin duke e kërkuar 49 vjeçarin, kur ky i fundit është rikthyer sërish në banesë dhe i ka marrë jetën të shoqes. Sipas një dëshmitari okular, raporton Protothema,  burri erdhi rreth orës 22:30 dhe kapi të shoqen prej flokësh duke e tërhequr në ballkon e duke bërtitur ‘do të vras’. Pasi e ka rrahur sërish, 49 vjeçari ka përdorur një thikë kuzhine për ta goditur 41 vjeçaren në gjoks e qafë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re