Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka dhënë detaje në lidhje me arrestimin e punonjësit të policisë Arjan Tase pas vrasjes së 7-vjeçares gjatë ditës së djeshme në plazhin e Potamit në Himarë.

 

AMP shpjegon edhe rrethanat e ngjarjes së rëndë duke theksuar se Tase fillimisht ishte afruar me skaf pranë zonës së mbushur me pushues në kundërshtim me rregullat e lundrimit në det dhe gjatë momentit që ka tentuar të rikthejë skafin në ujë ka bërë disa manovra të rrezikshme duke goditur me pjesën e pasme të skafit 7-vjeçaren, e cila pësoi vdekjen e menjëhershme për shkak të plagëve të marra.

 

Sipas AMP, mbi efektivin Arjan Tase rëndon akuza e vrasjes nga pakujdesia.

 

Njoftimi i plotë: 

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) arrestoi në flagrancë punonjësin e Policisë së Shtetit, A.T., me detyrë Shef i Seksionit të Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan, për veprën penale “Vrasje e kryer nga pakujdesia” parashikuar nga neni 85 i Kodit Penal, në rrethanat e mëposhtme:

Në datën 02.08.2022, rreth orës 14:00, shtetasi A.T., i cili ishte me pushime në Himarë, ka qenë duke drejtuar një mjet lundrues me dy motorë, nga Porto Palermo drejt Potamit, ndërsa në bord kishte edhe familjarë të tij.Në vendin e quajtur plazhi i Potamit, në kundërshtim me rregullat e qarkullimit ujor, shtetasi A.T. ka futur mjetin lundrues në hapësirën ujore të përcaktuar për pushuesit. Kjo hapësirë ujore ka qenë e rrethuar me bova plastike, sipas përcaktimeve në aktet ligjore që normojnë këtë aktivitet.Pasi ka zbarkuar në breg personat e tjerë në bord, shtetasi A.T. ka kryer manovrime të pakujdesshme për të kthyer mjetin lundrues sërish në det të hapur. Nga këto manovrime të pakujdesshme, 15 metra larg bregut, drejtuesi i mjetit A.T., ka goditur me pjesën e prapme të mjetit lundrues, shtetasen e mitur J.A., duke i shkaktuar plagë të rënda që kanë sjellë humbjen e menjëhershme të jetës.Pas veprimeve hetimore në vendngjarje, administrimin e provave që dokumentojnë fajësinë e shtetasit A.T. për veprën penale të “Vrasjes së kryer nga pakujdesia”, hetimet janë shtrirë edhe ndaj strukturave policore, të cilat në fushën e veprimtarisë që u ngarkon ligji, kanë përgjegjësinë për kontrollin dhe monitorimin e sigurimit të hapësirave ujore të rrethuar me bova për pushuesit. Gjithashtu grupi hetimor ka sekuestruar mjetit lundrues, i cili rezulton me dokumentacion të rregullt ligjor.Nga veprimet proceduriale të kryera deri në këtë fazë, janë marrë në cilësinë e personave ndaj të cilëve zhvillohen hetime, drejtuesit e strukturave policore:– Kryekomisar SH.H., me detyrë Drejtor i Drejtorisë dhe Migracionit në DVKM Vlorë;– Komisar F.M. me detyrë Shef i Sektorit të Kufirit në DVKM Vlorë;– Nënkomisar V.LL., me detyrë Shef i Komisarjatit të Policisë Himarë;– Nënkomisar N.B., me detyrë Shef Stacioni i Policisë Kufitare Dhërmi;– Nënkomisar A.D., me detyrë Shef i Seksionit të Rendit në Komisariatin e Policisë Himarë.Materialet proceduriale i dërgohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe grupi hetimor i AMP vijon hetimet për të dokumentuar me prova ligjore përgjegjësinë penale të punonjësve të Policisë, të sipërpërmendur.AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re