Dhjetra vrasje e atentate kanë tronditur vendin përgjatë këtij viti. 16 prej tyre janë të pazbardhura, dhe disa të tjera janë referuar pa motiv. Por kush janë të vrarët dhe vrasësit që përgjakin rrugët, kafenetë dhe lagjet e vendit?
Shumica e shenjestrave janë persona me dy ose më shumë identitete, të cilat i kanë ndryshuar kryesisht pas vuajtjes së një dënimi, apo kapërcimit të një akuze për vepra të rënda penale. Por ndodh shpesh që përpara se ndonjëri prej tyre të gjendet e ndëshkohet nga drejtësia, kjo bëhet nga dora e krimit.
Më 24 janar- vritet Jetmir (Edmir) Bregu në Durrës, një nga vrasjet e pazbardhura ende, ndërsa viktima njihej edhe me identitetin Ilir Kuçi.
Madje në raportimet e para u njoftua për këtë emër, por më pas u qartësua se Ilir Kuçi ishte i njëjti person me Edmir Bregun. Prishja e pazareve të drogës, apo konfliktet që i riu ka pasur në Durrës, ku qarkullonte me mjete luksoze dhe shoqërohej me persona me precedent penalë, janë shkaqet e dyshuara të ngjarjes.
Më 3 mars- vritet Tauland Gjikaj në Vlorë, një nga ngjarjet e zbardhura nga autoritetet.
Viktima, që njihej edhe me mbiemra të tjerë si Beqiraj apo Manaj po qëndronte në rrugë, ndërsa autori, i shoqëruar me një person tjetër zbriti nga një makinë me xhama të zi dhe e qëlluan për vdekje. Djali i një ish punonjësi policie me precedent të mëparshëm kriminal. Pista kryesore mbi vrasjen është ajo e prishjes së pazareve të drogës.
Më 20 mars- vritet Edmond Koçi në Durrës, edhe kjo vrasje e pa zbardhur ende. Ai njihej ndryshe me nofkën “Mond Çekiçi”, mjaft i njohur për policinë dhe drejtësinë dhe ishte lënë i lirë edhe pasi ishte arrestuar në flagrancë. Në një raport të ministrisë së brendshme të vitit 2016 thuhej se “Mond Çekiçi”, ishte pjesë e grupit të Lulzim Berishës dhe Emiljano Shullazit.
Më 11 maj- vritet në Elbasan Everest Caka për motive të panjohura. Ai njihej edhe si posedues i emrit Ibrahim Caka. U ekzekutua me armë zjarri teksa ndodhej në makinën e tij. Hasmëritë ishin shtuar edhe për shkak se i përkiste rrethit familjar të Arjan Spahiut, kunatit të Erjon Alibej, që u ekzekutua në muajin nëntor 2020 në Belgjikë. Ibrahim Çakës, në vitin 2008 i vranë vëllain, në Spanjë.
Më 3 qershor- Vritet Shkelzen Velaj në derën e shtëpisë në Vlorë. Ai njihej edhe si Altin, identitet me të cilin ka dyshime se mund të jetë përfshirë në vepra të ndryshme kriminale. Pista e hetimit të vrasjes së 42-vjeçarit është hakmarrja e nxitur si pasojë e vrasjeve të ndodhura në vite, të nisura që nga ajo e Çoles.
Më 4 tetor- Vritet Lulzim Bitri e Ardian Collaku në Elbasan. Ky i fundit i njohur edhe si Ardian Subashi. Bashkë me Bitrin rezultojnë persona me precedent penal. Ardian Subashi (Çollaku) i dënuar nga Gjykata e Modenas, me 23 vjet e 3 muaj e 17 ditë burgim dhe një nga veprat penale ishte “Shfrytëzimi i prostitucionit”.
Përveç identiteteve të ndryshuara, tjetër aspket që tërheq vëmendjen është aktiviteti i tyre. Si mes emrave të autorëve ashtu dhe mes viktimave, shumica janë të sapo dalë nga burgu, dhe pyetja që shtrohet është: Sa të rehabilituar dhe të gatshëm janë këta persona për t’u larguar nga veset dhe hasmëritë?
…
/faxweb
