Tre vite pas vrasjes së Agim Bucit dhe plagosjes së bashkëshortes së tij, procesi gjyqësor ka marrë një tjetër rrjedhë në Gjykatën e Apelit në Tiranë. Vladimir Kurti i dënuar me burgim të përjetshëm për krimin e rëndë që tronditi vendin i tha trupës gjykuese se vrasjen e Bucit e kreu kundrejt pagesës dhe jo për grabitje.

Ai pretendon se urdhërues i krimit, është Albert Zaja, i cili është arrestuar së fundmi si vrasës me pagesë i Shkëlzen Kastratit në Fier.

I dënuari përjetë shprehet se armën ja kishte vënë në disponicion Zaja dhe i kishte dhënë edhe shumën prej 1 mijë eurosh, ndërsa 30 mijë euro do t’ja paguante pasi të kryente krimin, por nuk bën me dije motivin e ngjarjes.

Më tej i dënuari përjetë shpjegon se armën e krimit ia ktheu po Zajës, e për këtë arsye ajo nuk gjendet, ndonëse pas vrasjes së Agim Bucit në Kamzë, policia devijoi lumin e Tërkuzit, pasi kishte dyshime se ishte hedhur aty.

Vladimir Kurti shpjegoi më tej, se nuk tregoi të vërtetën pas arrestimit, pasi kishte frikë për jetën e tij dhe të familjarëve, por tashmë që Albert Zaja është arrestuar, ai vendosi të rrëfehet.

“Kam patur frike të flas deri me tani sepse më kanë kërcënuar”, deklaroi i pandehuri. Edhe bashkë i pandehuri tjetër, Rruzhdi Hoda konfirmoi të njëjtën dëshmi, raporton news 24.

Pasi dëgjoi rrëfimet e të pandehurve, Gjykata e Apelit Tiranë vendosi të kërkojë informacion nga policia dhe prokuroria, përpara se të shpallë vendimin.

Vladimir Kurti është dënuar përjetësisht, ndërsa bashkëpunëtori i tij Rruzhdi Hoxha u dënua me 25 vite burgim.

Dy personat në orët e vona të mbrëmjes së 25 prillit 2018 të maskuar dhe të armatosur hynë në marketin e Agim Bucit dhe hasën rezistencën e tij dhe të gruas për të marrë xhiron ditore. Në pak minuta, personat e maskuar qëlluan mbi çiftin e bashkëshorteve, duke lënë të vrarë burrin dhe të plagosur rëndë gruan.

DINAMIKA E NGJARJES

Më datë 24.04.2018, i dyshuari Vladimir Kurti është takuar me të dyshuarin tjetër, Rruzhdi Hoda dhe i ka thënë këtij të fundit se do të kryenin një “punë” bashkë, do të shkonin të vidhnin diku. Të nesërmen, më 25.04.2018, i dyshuari Rruzhdi Hoda, me automjetin e tij tip “Golf” me targë AA 269 KF, ka shkuar pranë banesës së të dyshuarit Vladimir Kurti. Ky ka marrë këpucët dhe dorashkat në shtëpi dhe i është drejtuar automjetit.

Më pas, ata i janë drejtuar rrugës “Miqësia” në Kamzë dhe kanë parkuar automjetin në atë zonë. Kanë ecur në këmbë përgjatë bulevardit “Berisha” dhe janë kthyer te kthesa që të dërgon për të marketi i viktimës, Agim Buci. Rreth 30 metra para se të hynin në dyqan, Vladimiri i ka dhënë Rruzhdiut një thikë buke me bisht druri, një palë dorashka dhe një kapuç. Vladimiri që kishte veshur një xhup të zi me kapuç, ka ecur bashkë me Rruzhdiun drejt dyqanit. Rreth pesë metra përpara se hynin në dyqan, Vladimiri ka nxjerrë pistoletën nga brezi dhe është futur brenda, i ndjekur nga Rruzhdiu me thikë në dorë.

Pasi kanë hyrë brenda, Vladimiri është afruar te kasa e parave për të marrë këto të fundit. Pranë saj ndodhej fëmija i mitur i viktimës. Gruaja e viktimës, Rita Buci, pasi ka parë Vladimirin te kasa, është munduar ta godasë me disa produkte ushqimore. Në atë moment, Vladimir Kurti ka qëlluar më pistoletë dhe e ka plagosur në këmbë. Pas të shtënës, është afruar Agim Buci, i cili është përleshur me Vladimir Kurtin. Ky i fundit e qëlloi me pistoletë edhe atë. Pas ngjarjes, të dy të dyshuarit kanë vrapuar të maskuar deri te bulevardi “Berisha”.

Para se të dilnin nga aty, kanë hequr maskat dhe kanë vijuar të ecin normalisht. Pasi kanë hipur në makinë, kanë shkuar te Lumi i Bovillës dhe nga ura e Zgafnorit kanë hedhur maskat, dorashkat, xhupat dhe pantallonat në lumë.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re