8 vjet burg do të vuaj Klajdi Shundiu, i cili në datën 1 janar të vitit 2021 vrau me thikë kunatin e tij, Vladimir Zvezhdën.

 

Ky është vendimi që ka marrë sot Gjykata e Apelit, e cila ka rrëzuar vendimin e Shkallës së Parë, që vendosi 20 vjet heqje lirie për autorin.

 

Ngjarja e rëndë ndodhi në zonën e “5 majit” në Tiranë, pasi autori dhe viktima konsumuan alkool.

 

42-vjeçari Vladimir Zvezhda kishte shkuar me bashkëshorten tek shtëpia e prindërve të saj për të festuar.

 

Pas një sherri me kunatin, Klajdi Shundi e qëlloi me thikë në pjesën e qafës. Ai u dërgua në spital por nuk mundi të mbijetonte për shkak të gjakderdhjes së madhe.

 

“Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Apelit Tiranë, e përbërë nga trupi gjykues me Relatore Gjyqtare Ornela Naqellari dhe anëtare Gjyqtare Edlira Petri dhe Gjyqtare Lutfije Celami, me vendimin nr. 1143, datë 23.11.2022 vendosi:

 

– Ndryshimin e vendimit nr. 480, datë 24.02.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.– Deklarimin fajtor të të pandehurit K.Sh për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes së kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike”, parashikuar nga neni 82 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 8 (tetë) vjet burgim“, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Gjykatës së Apelit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re