Një 16-vjeçar është vrarë me thikë në zemër pas një sherri me shokun e tij të ngushtë. Ngjarja e rëndë ku humbi jetën Dionis Vrenozi ka ndodhur pasditen e djeshme në qendër të qytetit të Fierit. Mësohet se, Vrenozi nga fshati Hoxharë e Vjetër është gjetur nga kalimtarët në zonën e “Zogut të Zi” pranë gjimnazit “Janaq Kilica”.

Ai është transportuar në spital në gjendje të rëndë, por nuk ka mundur t’i mbijetojë plagës së marrë dhe ka ndërruar jetë. Menjëherë pas sinjalizimit për sherrin, policia e Fierit ka shkuar në vendngjarje dhe ka nisur hetimet. Pas dëshmive të marra është bërë i mundur identifikimi i autorit të krimit. Bëhet fjalë për 17-vjeçarin, Florian Gega nga fshati Dërmënas, i cili është vetëdorëzuar në polici 3 orë pas vrasjes së 16-vjeçarit.

“Pas identifikimit dhe shpalljes në kërkim nga policia, dorëzohet në polici autori i dyshuar i plagosjes me thikë në ‘Zog të Zi’. Në datën 18.10.2018 rreth orës 16:30, pas një zënke për motive të dobëta mes dy të rinjve, shtetasi F.G., 17 vjeç ka qëlluar me thikë shtetasin D.V., 16 vjeç. Si pasojë e plagëve të mara shtetasi D.V. ka ndërruar jetë. Pas ngritjes së grupit hetimor, policia identifikoi autorin e dyshuar dhe e shpalli në kërkim. Specialistët për Hetimin e Krimit kanë bërë arrestimin në flagrancë për veprën penale ‘Vrasje me dashje’”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.

“Ndonëse me thikën në gjoks, 16-vjeçari ka bërë ca hapa dhe më pas ka rënë tokë”, thanë dëshmitarët okularë të ngjarjes, të cilët kanë njoftuar menjëherë spitalin dhe policinë.
Lexoni lajmin e plote ne Gazeta Shqiptare ne print: http://www.gsh.al/2018/10/19/shokun-e-ngushte-deshmitaret-16-vjecari-eci-pak-metra-ne-gjoks-dhe/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re