Presidenti serb Vuçiç u ka bërë thirrje serbëve në barrikada që të veprojnë me qetësi, ndërsa zyrtarët kosovarë të lirojnë ish-policin e arrestuar.

Këtë ai e tha pas një seance të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Vuçiç po ashtu tha se barrikadat janë shprehje proteste, jo trill dhe se është i zhgënjyer që, siç tha ai, bashkësia ndërkombëtare që sipas tij mbyll një sy ndaj ngjarjeve.

“Ajo që po ndodh në Kosovë është një përpjekje për t’i dhënë fund problemit serb, në të cilin marrin pjesë Albin Kurti dhe autoritetet e Prishtinës, si dhe një pjesë e mirë e bashkësisë ndërkombëtare, e cila pretendon se asgjë nuk po ndodh”, tha Vuçiç pas seancës.

Ai theksoi se në terren ka një luftë të ashpër për “mbijetesën e një kombi në vatrat e tij”, duke shtuar se qëllimet reale të Kosovës janë demonstruar më së miri me arrestimin e Dejan Pantiçit.

Ai po ashtu ka thënë se është “tronditur” nga deklaratat e disa zyrtarëve evropianë, të cilët kanë thënë se barrikadat janë të tmerrshme dhe i kanë bërë thirrje Serbisë që t’i largojë ato.

Ai theksoi se në seancën e Këshillit të Sigurisë Kombëtare është diskutuar se çfarë duhet bërë, si dhe se shteti ka marrë “masa për mbrojtjen e atdheut” dhe se sipas tij ka nxjerrë urdhrat më të rëndësishëm.

Ai gjithashtu tha se është në kontakt me pjesëtarët e KFOR-it gjatë gjithë ditës dhe se Serbia, para se të lëshojë ndonjë urdhër për policinë apo ushtrinë, do të bëjë çmos për të ruajtur paqen dhe sigurinë.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re