Presidenti serb Aleksandar Vuçiç foli për zgjidhjet për Kosovën pas samitit të Berlinit, duke vënë në dukje se ai nuk dëshiron të mashtrojë njerëzit e tij duke folur keq për Haradinajn dhe Thaçin. I ftuar si mysafir në transmetuesin publik të Serbisë RTS, ai dha disa sqarime që ishin mjaft të pritshme.

“Thelbi është këtu: Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008. Ne jemi në një situatë të vështirë dhe askush nuk guxon të veprojë me ngut. Të gjithë e dimë se çfarë po ndodh në Kosovë dhe tani po kërkojnë fajtorin”, tha Vuçiç, duke shtuar se nëse gjithsesi duhet “një fajtor” ky fajtor do jetë ai vet.

“Ne kemi parë disponimin e fuqive të mëdha, shpresoj se në një moment do të kem kohë të shkruaj një libër lidhur me mënyrën se si funksionon presioni politik.”

I pyetur për zgjidhjen e ofruar nga ai dhe kujt ia ofron, Vuçiç tha se “nuk arriti të bëj marrëveshje për asgjë dhe prandaj nuk kishte asgjë për t’i paraqitur popullit”.

“Ideja u refuzua, pasi asnjeri as që dëgjoi atë që unë po ofroja. Ndërkohë që nuk isha në gjysmë të rrugës së bisedave me kampin kundërshtar, ideja e çdo kompromisi u refuzua. Nëse më duket se të gjithë janë duke vepruar si budallenj, për çfarë kufijsh po flasim kur gjysma e botës e konsideron një lloj kufiri, gjysma tjetër e konsideron një tjetër kufi. Mendova se ishte e rëndësishme të gjenim një zgjidhje kompromisi”.

Lidhur me mundësinë që shteti serb ta njeh pavarësinë e Kosovës, ai u përgjigj:

“Më hidhni në rrugë, nuk do ta njoh Kosovën. Pavarësisht nga mënyra se si na ftojnë e në çfarë formati, ne shkojmë me qëndrimin se Serbia është një vend i njohur ndërkombëtarisht. Ne nuk e njohim Kosovën. Kjo është e tëra”, tha Vuçiç.

I pyetur përsëri për idenë që kishte për Kosovën në Berlin, Vuçiç tha: “Nuk është e drejtë të flasësh për diçka që nuk m’u dha mundësia ta përmendja fare”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re