Vetëm një ditë pas sulmit në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë një pjesëtar i policisë, presidenti serb Aleksandër Vuçiç është takuar me ambasadorin e Rusisë në Beograd, Aleksandër Bocan-Harchenko.
Teksa ka publikuar një foto në rrjetet sociale me diplomatin rus, kreu i shtetit serb ka akuzuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurti për “spastrim etnik” me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare.
ALEKSANDER VUÇIÇ
PRESIDENT I SERBISE
“Bisedë e rëndësishme me ambasadorin e Rusisë. Mirënjohës që i dëgjoi lutjet dhe kërkesat e palës serbe. E informova ambasadorin rus për faktin se në Kosovë po kryhet spastrim etnik brutal i organizuar nga Albin Kurti me mbështetjen e një pjese të bashkësisë ndërkombëtare.”
Po ashtu ka reaguar dhe kremlini zyrtar nepermjet zedhenesit Dmitry Peskov i cili ka theksuar se Rusia po e ndjek nga afer situaten ne veri.
DMITRY PESKOV
ZEDHENES I KREMLINIT
“Gjendja është tejet e vështirë, shumë e tensionuar dhe me gjasë e rrezikshme, ne jemi duke e vëzhguar atë nga afër”.
Mbrëmjen e se dielës presidenti serb bëri përgjegjës Albin Kurtin për situatën e krijuar, duke thënë se “disa serbë të Kosovës” u rebeluan dhe ngritën barrikada që mos të vuajnë më terrorin e qeverisë. Kreu i shtetit Serb përsëriti po ashtu qëndrimin e tij se Beogradi nuk do ta njohë kurrë Kosovën si shtet të pavarur.