Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Europian nuk është pritur mirë nga Beogradi zyrtar.

 

Në një reagim në rrjetet sociale presidenti serb ka pyetur Perëndimin se cilat nga marrëveshjet e nënshkruara për Kosovën duan që të respektohet.

 

ALEKSANDËR VUÇIÇ

PRESIDENTI SERB

Një pyetje e thjeshtë për partnerët tanë perëndimorë, cilin nga pesë dokumentet e rëndësishme duan të respektojnë? Marrëveshjen e Kumanovës, Kartën e OKB-së, Rezolutën 1244, Marrëveshjen e Brukselit apo Marrëveshjen e Uashingtonit? Arrita në dokumentin e gjashtë shumë të rëndësishëm të BE-së nga viti 2003, dokumenti i famshëm i Selanikut për zgjerimin e BE-së. Dhe pikërisht në ditën e paraqitjes së kërkesës për anëtarësim në BE të të ashtuquajturës Kosovë, pyetja ime është nëse do t’i respektojnë dokumentet që i kanë sjellë vetë, sepse në pikën 5 të dokumentit të Selanikut thuhet se e mbështesin plotësisht zbatimin e Rezolutës 1244. Pra, pyetja ime sot është cilin nga këto gjashtë dokumente dëshironi të respektoni dhe ne do të pajtohemi absolutisht.

 

Komentet e Vuçiç i bëri pak para takimit të tij me përfaqësuesin e Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe të dërguarin e SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

 

Në fokus të takimit pritet të jetë situata në Veri të Kosovës ku serbët kanë bllokuar me barrikada rrugët.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re