Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, ka deklaruar se ka informacione në lidhje me vrasjen e gjashtë serbëve në Pejë në vitin 1998, për të cilën sipas tij nuk është përgjigjur askush.
Më 14 dhjetor 1998, dy persona të maskuar kanë hyrë në kafenën “Panda” dhe kanë vrarë nxënësit e shkollave të mesme: Ivan Obradoviç, Zoran Stanojeviç, Svetisllav Ristiç, Dragan Trifoviç, Vukosav Gvozdenoviç si dhe studentin, Ivan Radoviç.
“Kam informacione dhe njohuri, por autoritetet tona përgjegjëse janë në kërkim të dëshmive të plota që ky krim i tmerrshëm të zgjidhet. Sa i përket Serbisë dhe mua personalisht, prindërit e viktimave mund të jenë absolutisht të bindur se nuk do ta fshehim të vërtetën pavarësisht se kush është ai që ka marrë pjesë në këtë krim të rëndë, qoftë shqiptar apo serb”, është shprehur në një intervistë për mediat serbe Vuçiç.
Ndër të tjera kreu i shtetit serb ka thënë se ai është i pari që ka mbledhur kurajë për të folur për këtë çështje dhe se “nuk brengoset për rrezikun që ka marrë”.



