Ish-kryeministri, Sali Berisha e ka konsideruar si aventurë të rrezikshme të Serbisë, sulmin terrorist në veri të Kosovës. Në emisionin “Quo Vadis”, Berisha deklaroi se kjo është situata më e paprecedentë që nga viti 1999.

 

Sipas tij, pas sulmit terrorist fshihet vetë Beogradi, ndërsa shton se ushtria serbe ishte në gatishmëri për të sulmuar Kosovën.

 

“Mendoj se me datën 24 shtator ka ndodhur ngjarja më e rëndë në fushën e sigurisë, që nga viti 1999 gjer sot. Me 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, Aleksandër Vuçiç, Vulin dhe stabishmenit aktual i Beogradit kishin projektuar një skenar të kobshëm gjakderdhës, kishin futur, armatosur, një grup terroristësh të përbërë nga serbë të ardhur nga Serbia ushtarakë, nga serbë lokalë, terroristë lokalë, thuhet edhe mercenarë rusë apo mercënarë të Wagner. Ky skenar kishte si synim kryesor një kryengritje të serbëve lokalë, për ç’ka ishin futur dhe lloj e lloj armë të ndryshmë, për ç’ka edhe ushtria serbe qëndronte në kufi për të hyrë në mbështetje të tyre, ‘de-facto’ aneksimin e veriut të Kosovës. Kjo ishte aventura më e rrezikshme që nga viti ’99, pasi çdo sulm nga jashtë, ndaj Kosovës, nga cilido qoftë është sulm ndaj NATO-s dhe do sillte kjo një konflikt, si një projekt i Putin, në rajonin tonë”, shprehet ai.

 

Berisha ka dënuar sulmin terrorist në veri, ndërsa kërkon vënien e Serbisë para përgjegjësisë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re