Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, dënoi ditën e sotme kërkesën e Edi Ramës për Kosovën dhe Serbinë që t’i kthehen propozimit të Konferencës Ndërkombëtare.
Në fjalën e tij për mediat kreu i demokratëve tha se dënon me ashpërsi ndërhyrjen e kryeministrit Rama në punët e brendshme të Kosovës.
Sipas Berishës, me ndërhyrjen e tij, kryeministri Rama po kërkon të acarojë më shumë situatën.
“Me ndërhyrjen e tij përpiqet që të acarojë gjithnjë e më shumë situatën, kur është bërë e qartë për të gjithë botën se padroni i tij Vuçiç ndërkohë që ulet në negociata dërgon banda terroriste për të organizuar kryengritje në Kosovë. Kërkon me çdo kushte të përgjakë Kosovën, paçka se Edi Rama iu tha botës se aty smund të shkrepet kurrë një pushkë.”, tha Berisha.
Berisha deklaroi se projekti për Konferencën Ndërkombëtare, sipas tij është propozuar dy vite më parë nga Beogradi e mbështetur më tej nga Sergei Lavrov.
“Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë qëndrim të Edi Ramës që shkon fund e krye në përputhje me kërkesat e Beogradit.
Edi Rama nxori përsëri nga sirtarët kërkesën për Konferencë Ndërkombëtare të paraqitur nga Beorai dy vite më parë dhe të mbështetur fuqimisht nga Sergei Lavrov. Nuk ka qëllim tjetër veçse të çbëjë të gjitha ato që janë arritur dhe të shënojë një fillim të ri nga e para për llogari të nacionalistëve serb.
Komuniteti ndërkombëtar ka treguar angazhim maksimal, vetë kancelari Scholz, presidenti Macron, sekretari Blinken janë angazhuar direkt. Plani franko-gjerman që është dorëzuar…, Edi Rama në parashtesën e tij fajëson Kosovën për moszbatimin e këtij plani në një kohë kur, kryeministri i Kosovës ishte i gatshëm ta firmoste në Ohër, kurse homologu i tij serb deklaroi se unë nuk e firmos kurrë atë.
Duke kërkuar Konferencë Ndërkombëtare, Edi Rama mendon se refuzimi i Serbisë i çdo opsioni tjetër veçse një Republike serbe të tipit të asaj të Bosnjes në Kosovë do të mund të shkohet në shpërbërje të Kosovës dhe ndarje të saj me Shqipërinë. Dënoj ndërhyrjet e Edi Ramës në punët e brendshme të Kosovës.”, tha Berisha në fjalën e tij për mediat.