Presidenti i Serbisë, alekasandër Vuçiç është takuar me senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Ron Johnson, të cilët janë shprehur se duan të bëjnë gjithçka të mundur për të mbështetur dialogun për normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

 

Në këtë takim dy senatorët kanë thënë se procesi i dialogut do të kërkojë shumë kompromise dhe sakrifica nga të dyja palët.

 

Ndër të tjera ata kanë theksuar se pasi të arrihet marrëveshja, potencialet dhe përfitimet për të dyja vendet do të jenë më të mëdha se ajo që mund të humbet në negociata.

 

Senatori republikan Johnson, ka thënë se Amerika është mike e popullit serb dhe se dëshiron të bëjë gjithçka të mundur për të mbështetur dialogun dhe procesin, në të cilin të dy popujt duhet të japin diçka dhe të marrin diçka.

 

Demokrati Murphy tha se shpreson se pas zgjedhjeve në Kosovë, edhe autoritetet në Prishtinë do t’i bëjnë hapat e nevojshëm për vazhdimin e dialogut. Ai theksoi se mbështetja për dialogun Serbi-Kosovë është një çështje, për të cilën edhe demokratët, edhe republikanët në SHBA bien dakord.

 

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë është pezulluar prejse Kosova u ka vënë taksë prodhimeve të importuara nga Serbia, në nëntor të vitit të kaluar.

 

Ndërkohë që Vuçiç u ka thënë senatorëve amerikanë se Beogradi pret heqjen e taksës” dhe se do “arritjen e një marrëveshjeje të kompromisit.

 

“Serbia mund të diskutojë çdo gjë vetëm nëse ka zgjidhje kompromisi. Në qoftë se nuk ekziston një zgjidhje kompromisi, ne nuk mund ta njohim pavarësinë e Kosovës. Dhe, këtu nuk ka filozofi të madhe”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re