Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, mohoi të dielën njoftimet e Shteteve të Bashkuara për një grumbullim ushtarak përgjatë kufirit me Kosovën, duke u ankuar për siç tha një “fushatë gënjeshtrash” kundër vendit të tij, një javë pas sulmit ndaj policisë së Kosovës në fshatin Banjskë në veri të vendit.

Të dielën e kaluar, një oficer i policisë së Kosovës u vra dhe dy tjerë u plagosën në një sulm të një grupi të armatosur rëndë. Grupi më pas u strehua në manastirin ortodoks të fshatit Banjskë. Gjatë përleshjeve që zgjatën pothuajse gjatë tërë ditës, tre nga sulmuesit mbetën të vrarë.

Sulmi rriti tensionet edhe ashtu të larta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa shtoi shqetësimet perëndimore për mundësinë e ripërtëritjes së konflikteve në rajon.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian shprehën shqetësimin për atë që e cilësuan si “një grumbullim të shtuar ushtarak serb në kufi me Kosovën”, ndërsa i kërkuan Beogradit që urgjentisht të tërheqë trupat ushtarake.

Qeveria e Kosovës tha të shtunën se po përcjellë lëvizjet e ushtrisë serbe, duke i këkruar largimin e menjëherëshëm të trupave nga kufiri i saj.

“Fushatë e gjerë kundër vendit tonë Serbisë. Fushatë e gënjeshtrave – fushatë e të pavërtetave. Ata kanë gënjyer për praninë e forcave tona ushtarake. Në fakt, ata janë të shqetësuar që Serbia ka ato që i përshkruajnë si armë të sofistikuara”, tha presidenti serb të dielën në një postim në rrjetet sociale.

Agjencia e lajmeve Associated Press publikoi të dielën pamje ku shihen automjete transportuese të ushtrisë serbe duke u larguar drejt Serbisë qendrore, një shenjë se ushtria mund të zvogëlojë praninë e saj në rajon pas thirrjeve amerikane dhe evropiane.

Kosova akuzon Serbinë se qëndron prapa sulmit të së dielës së kaluar, ndërkaq Beogradi mohon çfarëdo lidhjeje me grupin e armatosur. Sulmi u mor përsipër nga Milan Radoiçiç nënkryeyar i deritashëm i Listës Seërbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës që është themeluar dhe mbështetet nga Beogradi.

Presidenti serb Vuçiç, sot tha se brenda 24 orëve do t’ia paraqesë publikut provat dhe tregimet e dëshmitarëve lidhur me sulmin në fshatin Banjskë në veri të Kosovës.

“Kemi deklarimet e dëshmitarëve, njerëzve që kanë qenë aty dhe kanë parë se në çfarë mënyre të paktën një serb është vrarë brutalisht. Serbia nuk do të qetësohet derisa të dihet e vërteta e plotë sepse jetët e serbëve nuk janë më pak të vlefshme se jetët e të tjerëve”, tha ai.

Diplomacia perëndimore e ka dënuar në shkallë të gjerë sulmin ndaj policisë së Kosovës, duke kërkuar vënien e autorëve para drejtësisë. Bashkimi Evropian ndër të tjera ka theksuar se sulmuesit kurrë nuk mund të barazohen me viktimat.

Sot ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, publikuan në një konferencë të përbashkët pamje nga dronët e sekuestruar në Banjskë, të cilat sipas tyre dëshmojnë përfshirjen e shtetit serb në organizimin e sulmit. Në pamjet e publikuara shihet grupi i armatosur i cili sipas tyre ishte duke u stërvitur pak ditë para 24 shtatorit në një nga poligonet më të mëdha të ushtrisë serbe.

“Ky organizim terrorist kishte vetëm një qëllim – aneksimin e veriut të Republikës së Kosovës. Në përpjekje të realizimit të këtij qëllimi institucionet e Serbisë kanë organizuar kapacitetet e saj ushtarake logjistike dhe financiare”, tha zoti Sveçla duke shtuar se “në deklarimet publike presidenti serb është munduar ta mohojë faktin se shteti ka qenë i përfshirë në planifikimin dhe ekzekutimin e sulmit, mirëpo pamjet e publikuara janë dëshmi e angazhimit të strukturave ushtarake dhe shtetërore në këtë organizim”.

“Plani i tyre ka qenë plan total i aneksimit të veriut të Kosovës. Në dokumentet që ne e kemi të cilat nuk mund t’i ndajmë me ju tani, ka një plan për aneksimin e veriut të paraparë në fazën fillestare në 37 pocizione, nga ku do të sulmoheshin njësitë tona policore jo vetëm në Banjskë e Zveçan, por në të gjitha pjesët veriore, e pastaj krijimi i një korridori të lirë me Serbinë dhe furnizimet tjera me njerëz, materjale, ekspertë dhe furnizime të tjera të nevojshme për një rezistencë të armatosur dhe për krijimin e një realiteti të ri në atë pjesë”, th zoti Hoxha.

NATO-ja tha të premten se ka miratuar “forca shtesë për Kosovën” që do të mbështesin rreth 4 mijë e 500 trupa sa ndodhen në terren për të ruajtur një mjedis të sigurt në Kosovë.

Sulmi i një jave më parë është cilësuar nga ngjarjet më të rënda që kur Kosova shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008, e cila vazhdon të kundërshtohet nga Beogradi.

Të dyja palët ka mbi një dekadë që janë të përfshira në një proces bisedimesh të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, por tensionet ndërmjet tyre vazhdojnë të mbesin të larta. Më herët gjatë vitit Kosova dhe Serbia u pajtuan për një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, por nuk janë shënuar ende hapa domethënës në zbatimin e saj./VOA/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re