Ministri serb i Shëndetësisë, Zlatibor Loncar tha se presidenti Vuçiç kishte probleme kronike, të vogla të zemrës, por se gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua të premten kur vendosi të kontaktojë mjekët e Akademisë Mjekësore Ushtarake (MMA) në Beograd.

“Menjëherë pas pritjes, u vlerësua se Presidenti i Serbisë ishte në rrezik”, tha ministri Loncar.

Ekipet mjekësore menjëherë zbatuan të gjitha masat e nevojshme për të ndërhyrë në një gjendje të rëndë, dhe, sipas ministrit Loncar, Vuçiç “iu përgjigj mirë terapisë”.

Sidoqoftë, ekipet e ekspertëve të MMA rekomanduan që Presidenti i Serbisë të zvogëlojë aktivitetet e tij të rregullta në periudhën tjetër, në mënyrë që të shërohet plotësisht nga gjendja shëndetësore e përkeqësuar që ndodhi të premten.

Pasi doli nga spitali, Vuçiç falënderoi “të gjithë ata që ishin kujdesur” dhe njoftoi se do të kthehej në punë të hënën.

“Faleminderit mjekëve dhe stafit në MMA. Faleminderit për të gjithë ata që u kujdesën. Do të jem në punë me orar të plotë duke filluar nga e hëna”, postoi Vuçiç në Twitter.