Aleksandër Vuçiç paralajmëroi se serbët në Kosovë nuk do të heqin dorë nga targat, duke pranuar kështu se pas 31 tetorit do të ketë rezistencë nëse edhe Prishtina nuk bën hap pas.

 

ALEKSANDËR VUÇIÇ

PRESIDENTI SERB

 

Nuk ka dorëzim. Po e përsëris, nuk ka dorëzim. KM mbetet. Ashtu siç kemi thënë një muaj dhe disa muaj më parë. Ne kemi kërkuar në Bruksel që të mbahen targat KS, por reagimi i tyre ishte histerik, nuk pranojnë në asnjë mënyrë targat KS. Përfaqësuesit e vendeve të Quint dhe BE-së, thonë se veprimi i Kosovës në lidhje me targat është legjitim dhe në përputhje me marrëveshjet nga dialogu, por se problemi është në metodën e kohën.

 

Vuçiç shtoi se nga marrëveshjet e nënshkruara nuk përcaktohet askund që targat të zëvendësohen, por se sipas tij dakordësia ishte që statusi i tyre të diskutohet.

 

ALEKSANDËR VUÇIÇ

PRESIDENTI SERB

 

Sipas marrëveshjes së Brukselit është parashikuar që të rishqyrtohet çështja e targave, e jo të hiqen targat KM. Gjithçka është në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet për lirinë e lëvizjes që kemi pasur. Kanë shpikur legjitimitetin dhe ligjshmërinë e një vendimi të paqenë, një letre të paqenë. Ato që thonë Quinti, BE dhe Prishtina nuk shkruhen askund, unë e di çdo letër, kam marrë pjesë në çdo takim, por atyre nuk u intereson kjo gjë.

 

Presidenti tha se veprimet e Prishtinës do të përballen me rezistencën demokratike të popullatës serbe dhe se Serbia nuk do të lejojë persekutimin dhe vrasjen e popullit serb.

 

I pyetur për detaje të propozimit franko-gjerman Vuçiç  u shpreh se në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare është diskutuar edhe për të.

 

Ai shtoi se brenda 24 orëve do bëjë publike përgjigjen që ka hartuar për këtë propozim.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re