Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë në Beograd se vendimi për ndryshimin e targave në Kosovë kërcënon stabilitetin dhe paqen dhe mbijetesën e serbëve në Kosovë.

“Regjimi i Prishtinës po kërcënon stabilitetin, paqen dhe mbijetesën e popullit serb në Kosovë, pasi vazhdon të kryejë veprime lidhur me riregjistrimin e automjeteve”, tha Vuçiç.

Sipas tij, Beogradi insiston në targa KS për serbët në Kosovë, të cilat janë status neutral, por Prishtina në mënyrë të njëanshme i anuloi dhe në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet e mëparshme, kërkon vetëm targa RKS të Kosovës.

“Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë bisedimet dhe negociatat për gjithçka, kemi rënë dakord të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të ruajtur stabilitetin, por ne do të jemi me popullin serb nëse ata sulmohen dhe besojmë se do të ketë mjaft urtësi në Prishtinë dhe mes atyre që i mbështesin në çdo vendim”, tha Vuçiç.

Gjithashtu, Vuçiç theksoi se në seancën e Këshillit të Sigurisë Kombëtare është diskutuar për planin franko-gjerman, të cilin e përkrahin edhe SHBA-ja dhe se do t’i informojë brenda 24 orëve nga përgjigja që kanë përpiluar.

“Brenda 24 orëve do ta dërgojmë një përgjigje. Jemi të gatshëm të vazhdojmë negociatat, por ka gjëra që nuk mund t’i pranojmë dhe për këtë kemi njoftuar përfaqësuesit e vendeve më të larta”, tha Vuçiç.

Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare u caktua pasi përfaqësuesit e Listës Serbe kërkuan takim urgjent me Vuçiqin për shkak të njoftimit të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti se targat serbe nuk do të vlejnë që nga 1 nëntori.

Afati i vendosur nga Prishtina për riregjistrimin e targave në Kosovë skadon më 31 tetor dhe kryeministri i Kosovës Kurti tha se ky afat nuk do të shtyhet.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re