Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha së fundi se Serbia do të marrë masa shumë të ashpra që do ta ndryshojnë rrënjësisht shoqërinë serbe.

“Trishtimi i pamasë është diçka që ndihet kryesisht nga familjet, por edhe nga të gjithë të tjerët në Serbi. Na takon neve të dalim të bashkuar nga kjo tragjedi e madhe dhe të përpiqemi t’i zgjidhim disa probleme në një mënyrë tjetër”, tha Vuçiç në RTS, si reagim për dy vrasje masive në nivel masakre në Serbi, me autor një 13-vjeçar dhe një 21-vjeçar.

Ai shtoi se roli i udhëheqjes shtetërore është të veprojë racionalisht.

“Kjo është arsyeja pse ne jemi zgjedhur dhe nuk mund të jesh gjithmonë aty kur diçka është e bukur, por duhet të jesh aty kur është më e vështira”.

Frika nga efekti i kopjimit

“Ne duhet, pa harruar kurrë tragjeditë e tmerrshme dhe pa harruar viktimat, ata fëmijë engjëllorë dhe njerëz që u vranë nga kriminelët, duhet të vazhdojmë të mendojmë se si të parandalojmë që këto gjëra të mos ndodhin më kurrë”, tha Vuçiç.

Ai theksoi se “ditën kur ndodhi masakra e shkollës tha se kishte frikë nga efekti i kopjimit. Dhe, për fat të keq, kjo ndodhi që të nesërmen.

“Na takon ne të nxjerrim konkluzione dhe të marrim masa. Në vende të tjera, shtetarët thonë – lutjet tona janë me ju dhe kaq. Mendoj se si shtet kemi shkuar një hap më tej”, tha  Vuçiç dhe ka shtuar se është e rëndësishme që Serbia të dalë më e fortë nga këto tragjedi.

Ai kujtoi se si “gjëra monstruoze po ndodhin kudo në botë”. “Në Amerikë keni pasur 190 vrasje masive”, tha Vuçiç.

“Tragjedia këtu është e veçantë sepse kanë vdekur shumë fëmijë. Duhet të marrim masa dhe të reagojmë edhe si shoqëri edhe si shtet. Do të kemi një numër të shtuar pedagogësh. Ne do të pranojmë të gjitha masat që ata propozojnë, të cilat nuk përjashtojnë njëra-tjetrën”, theksoi ai.

Sipas tij, “oficerët e policisë në shkolla do të ulin nivelin e dhunës së bashkëmoshatarëve”. Ai vlerëson se mund të jetë “nga 70 deri në 80 për qind.

Duke folur për patrullimet nëpër shkolla dhe qendra tregtare, Vuçiç tha se “nga nesër gjithçka do të intensifikohet, sidomos në momentin e parë kur psikopatët e ndryshëm mendojnë se ka ardhur momenti i tyre”. Ai njoftoi se do t’i pajisë të 1800 shkollat ​​me pajisjet e nevojshme, “sado që të jetë kostoja”.

Një muaj për të kthyer armën, pas kësaj dënime të rënda

Ai po ashtu ka rikujtuar se qytetarëve u është dhënë mundësia që në muajin e ardhshëm të dorëzojnë vetë armët pa leje pa pasoja, pas së cilës do të përballen me dënime të rënda.

Pas kësaj, ai paralajmëroi dënime më të ashpra për armëmbajtje pa leje dhe tha: “Nëse ia vlen të marrësh 5, 10 apo 15 vjet burg për tre plumba, atëherë bëju gati”.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re