Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha të mërkurën se ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç, i cili akuzohet nga Prokuroria për krime të rënda që ai vetë i pranoi, do t’u përgjigjet autoriteteve serbe dhe se aktakuza ende nuk ka përfunduar.

“Nuk do të doja ta mbroj Radoiçiçin, sepse ai është përgjegjës para organeve tona gjyqësore dhe për të ende nuk është ngritur aktakuzë. Kur të kryhet hetimi, nëse do të ketë apo jo zgjatje të hetimit, kjo varet nga organet kompetente shtetërore. Ata do t’i vërtetojnë të gjitha këto fakte”, tha ai.

Vuçiç tha se Radoiçiq ka investuar para në shtëpinë e tij në Kosovë dhe se nuk ka nxjerrë para nga Serbia, siç bëjnë shumë liderë të ish-regjimit dhe opozitës.

“Është duke u zhvilluar një hetim, nuk jam prokuror dhe nuk jam gjykatës që të jap ndonjë aktgjykim, kjo do të ishte e kundërligjshme”, tha Vuçiç.

Ai ka shtuar se prokurori po e ndjek Radoiçiqin për krime të rënda që ai vetë i ka pranuar, transmeton Tanjug.

 “E ka rrëfyer vetë, nuk ka pasur nevojë të dëgjosh dikë tjetër, ka ardhur njeriu dhe ka thënë ‘e kam bërë’ dhe është ofruar vetë”, tha Vuçiç dhe shtoi se hetimet do të vazhdojnë dhe aktakuza do të ngrihet.

“Do të mbulohen të gjitha aspektet e hetimit, nga vijnë paratë për armët në tregun e zi, do të vërtetohet gjithçka. Ky është obligimi ynë dhe ne do ta bëjmë punën tonë”, ka përfunduar Vuçiç.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re