Rikrijim i Jugosllavisë së vjetër, plus Shqipërinë. Një përsëritje e skenarit të pasluftës, kur Tito, të cilin Vuçiç e konsideron si burrë shumë të zgjuar dhe kërkon ta imitojë, u përpoq të bënte Shqipërinë republikë të shtatë të Jugosllavisë.

I ashtuquajturi mini-Shengeni ballkanik ka qenë një ide e Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç që para se të zgjidhej, çka e tregon edhe në këtë intervistë me Politico, dhënë menjëherë pas fitores në zgjedhjet presidenciale të vitit 2017.

I pyetur nëse po përpiqet që me zonën e tregtisë së lirë në rajon të rikrijojë Jugosllavinë, Vuçiç nuk fshihet.

‘Është Jugosllavia e vjetër, plus Shqipëria. Është një ide politike, por pa vënë në rrezik sovranitetin e tyre. Kjo do të nxitë ekonomitë tona. Na duhet nivel rritjeje 4-5% në baza vjetore, jo 3%. Aq nuk mjafton’ deklaronte Vuçiç në një intervistë të mëhershme për Politico.eu.

Duke pasur parasysh që rajoni i Ballkanit tradicionalisht është konsideruar një fuçi baruti, plot konflikte e mosmarrëveshje midis fqinjëve, është i kuptueshëm skepticizmi me të cilin pritet ideja e presidentit serb. Por Vuçiç e ka modelin për t’u ndjekur: Josip Broz Tito.

‘Tito ia doli. Ai ishte diktator komunist, por burrë shumë i zgjuar. Ishte kovaç, e imagjinoni dot? Por ishte shumë i zgjuar. Dinte si t’i bashkonte njerëzit. Kjo është ajo që na duhet. Ne duhet t’i bashkojmë njerëzit’, thotë Vuçiç.

Sigurisht që krijesa artificiale Jugosllavi ziente përbrenda dhe nuk kaluan as 12 vjet që nga vdekja e diktatorit ‘bashkues të popujve’ që të shpërbëhej. Edhe në ndarje konfliktet vazhdojnë edhe sot e kësaj dite, me Kosovën e Bosnjën që nuk gjejnë qetësi nga Beogradi që trazon zjarrin. Sa për sovranitetin e vendeve pjesëmarrëse, gjaku i derdhur që nga shpërbërja paralajmëron më tepër se fjalët e ‘serbit krenar’ Vuçiç…

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re