Subscribe

President Aleksandër Vuçiç ka përsëritur qëndrimin se Serbia është e gatshme të përmbushë të gjitha detyrimet që dalin nga marrëveshja e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.

 

Por ai ka theksuar se nuk do të pranojë asgjë që ka të bëjë me njohjen e Kosovës apo anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara dhe se afatet e vendosura për arritjen e marrëveshjes nuk kanë kuptim.

 

“Serbia nuk është në pozitë të lehtë pas bisedimeve në Bruksel, por qytetarët nuk kanë arsye për t’u shqetësuar. Unë deklarova se jemi të gatshëm t’i përmbushim obligimet tona por nuk mund të pranojmë asgjë që lidhet me njohjen de facto apo de jure të Kosovës apo anëtarësimin në OKB”

 

Presidenti serb akuzoi Kosovën se shpik dredhi për të mashtruar ndërkombëtarët.

 

“Kurti nuk do ta formojë asosiacionin e komunave. Shqiptaret po dalin me dredhi pas dredhie për të mashtruar BE dhe SHBA. Nuk po ia dalin por e gjitha kjo është në dëm të popullit tonë në Kosovë, të cilët vuajnë terrorin e Kurtit”

 

Vuçiç tha gjithashtu se liderët kryesore europianë i kërkuan në Bruksel edhe dënimin e sulmeve te grupeve serbe ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator por ai e refuzoi një gjë të tillë duke thënë se respekton kushtetutën e Serbisë.

 

Takimet e fundit të Kurtit dhe Vuçiç në Bruksel nuk patën asnjë rezultat për shkak të parakushteve që palët i vendosën njëra tjetrës, megjithatë siç tha edhe shefi i diplomacisë Borell, përpjekjet vazhdojnë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re