Presidenti i Serbisë ka deklaruar se nuk do të ndryshojë qëndrim dhe nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë për sa kohë të mundet.

 

Duke folur për mediat nga Nju Jorku ku ndodhet për asamblenë e përgjithshme të OKB, Vuçiç tha se pavarësisht presionit nga Perëndimi, do të jetë ai që vendos për shtetin e Serbisë.

 

ALEKSANDËR VUCIC

PRESIDENT  SERBISË

“Do të më mbajnë ligjëratë e do të më japin sërish leksione për Rusinë. Do t’i dëgjoj me kujdes dhe do t’iu them se unë e udhëheq Serbinë si president dhe për aq sa të mundemi, do të udhëheqim me këtë politikë. Pra, nuk do të vendosim sanksione.”

 

Vuçiç foli hatërmbetur edhe për fjalimin e presidentit Joe Biden në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, duke pyetur se pse nuk e përmendi integritetin territorial të njëzet viteve më parë, duke iu referuar bombardimeve të NATO-s mbi Serbinë më 1999.

 

“Biden në fjalimin e tij përmendi integritetin territorial, sovranitetin por nuk foli për të drejtat e njeriut si vlerat më të larta të njerëzimit. Disa herë iu referua Kartës së OKB-së por akoma nuk i njohin rregullat. Ndoshta do të më bindin me fjalë të urta, por nuk jam i sigurt.”

 

Sa i takon Kosovës ministri i Jashtëm i Serbisë Daçiç, i cili gjithashtu ndodhet në Nju Jork, tha se nuk ka asnjë shans që Prishtina të pranohet në OKB. Ai u shpreh  i bindur se Serbia ka mbështetjen e shumicës për këtë çështje.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re