Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç në urimin e ditëlindjes dërguar presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka ftuar atë që ta vizitojë Serbinë.
“Me vizitën tuaj do të konfirmonit se dëshira për lidhje më të forta dhe më të pasura serbo-amerikane është e dyanshme dhe qytetarët e Serbisë do të dinë ta respektojnë dhe vlerësojnë”.
Ndër të tjera në urimin e tij kreu i Serbisë Vuçiç ka kërkuar sërish që presidenti Trump të ndihmopjë në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e marrëdhënieve.
“Siç e dini edhe vetë, përmes problemit të Kosovës kryqëzohen të drejta dhe interesa jo vetëm të Beogradit dhe Prishtinës, por edhe të faktorëve të ndryshëm ndërkombëtarë, me ç’gje bëhet edhe burim i manipulimit dhe paqëndrueshmërisë politike”.
Ai shtoi se të gjithë qytetarët e Serbisë e dinë se Shtetet e Bashkuara kanë një marrëdhënie të veçantë me Kosovën, duke e konsideruar atë si shtet të pavarur, të cilin e kanë mbështetur dhe ndihmuar gjithmonë.
Gjithashtu Vuçiç insiston se dialogu nuk do të vazhdojë pa u hequr taksa. Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj, thotë se taksa nuk hiqet derisa Serbia nuk e njeh Kosovën.