Në gadishullin rus të Kamchatka-s, gjatë natës pati një shpërthim të fuqishëm të vullkanit Krasheninikov, i pari i regjistruar në 600 vitet e fundit, raportoi agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA.
Vullkani, me lartësi 1,856 metra, hodhi një re hiri që u ngrit në një lartësi prej 6,000 metrash dhe po lëviz drejt lindjes, domethënë Oqeanit Paqësor. Siç njoftoi Ministria Ruse e Situatave të Emergjencave, nuk ka zona të populluara në rrugën e resë së hirit.
Shpërthimi është shënuar me një kod portokalli të aviacionit, duke sinjalizuar një rrezik në rritje për trafikun ajror, veçanërisht në rajon, i cili ndodhet pranë rrugëve ajrore për në Amerikën e Veriut dhe Azi.
Shkencëtarët nga Instituti i Vullkanologjisë dhe Sizmologjisë thonë se shpërthimi mund të lidhet me një tërmet të fuqishëm që goditi Lindjen e Largët të Rusisë javën e kaluar, duke shkaktuar madje paralajmërime për cunami në rajone të largëta si Polinezia Franceze dhe Kili.
“Ky është shpërthimi i parë historikisht i konfirmuar i vullkanit Krashennikov në 600 vitet e fundit”, tha Olga Girina, drejtuese e ekipit që monitoron aktivitetin vullkanik në Kamchatka. Sipas saj, shpërthimi i fundit ndodhi rreth vitit 1463, me një mospërputhje të mundshme prej 40 vitesh.
Si kujtesë, Kamchatka është një nga rajonet vullkanike më aktive në botë, me dhjetëra vullkane aktive dhe potencialisht aktive. Vetëm pak ditë më parë, shpërtheu edhe vullkani Klyuchevskaya – më aktivi në gadishull.
https://x.com/i/status/1951787569139556661
