Vullkani në ishullin Kanarie të La Palma, nga i cili rrodhën lumenj me lavë të ndezur për 85 ditë, më në fund është qetësuar, kështu që vendasit kanë marrë një “dhuratë Krishtlindjesh” që do ta mbajnë mend gjatë.

Komiteti i Emergjencave (Pevolca) njoftoi se shpërthimi që filloi më 19 shtator në këtë ishull spanjoll në Oqeanin Atlantik, në veriperëndim të bregut të Afrikës, u ndal zyrtarisht.

Vullkani “ra në gjumë” të papritur mbrëmjen e 13 dhjetorit dhe që nga ajo kohë nuk ka pasur asnjë shpërthim llave apo tërmete të rëndësishme, ndaj ekspertët janë të bindur se aktiviteti i tij ka mbarruar përfundimisht.

“Shpërthimi ka mbaruar,” tha Julio Pérez, një zëdhënës i qeverisë rajonale të Ishujve Kanarie.

Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez, i cili e ka vizituar ishullin disa herë gjatë krizës, tha se ishte “dhurata më e bukur për Krishtlindje”.

“Unë i admiroj plotësisht njerëzit e La Palma-s”, shkroi ai në Twitter.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku, të gjitha institucionet, për të rindërtuar ishullin e bukur të La Palma-s dhe për të riparuar dëmet,” shtoi Sancez.

Gjithsesi, asnjë jetë nuk humbi në një vrull llave, hirit dhe reve toksike tymi. Më shumë se 2,900 shtëpi dhe ndërtesa u shkatërruan dhe një lavë me trashësi një metër mbuloi rreth 1,200 hektarë të ishullit.

Dëmi llogaritet në mbi 900 milionë euro.

Javët e fundit, ngjarje të ndryshme sportive janë mbajtur në të gjithë Spanjën për të mbledhur para për të dëmtuarit, si dhe po shiten kalendarët me foto mbresëlënëse të shpërthimit vullkanik.

Rreth 7,000 nga 84,000 banorët u evakuuan nga shtëpitë e tyre. Pérez tha se të kthyerit e parë mund të kthehen gjatë gjysmës së parë të janarit.

Për shkak të tymit të akumuluar janë anuluar 500 fluturime gjatë mbylljes së herëpashershme të trafikut ajror, por tashmë pritet rritje e ardhjeve të turistëve.

Ky ishte shpërthimi më i gjatë i regjistruar në La Palma. Aktiviteti vullkanik në vitin 1585 zgjati në atë ishull për 84 ditë.

Por aktiviteti më i gjatë i regjistruar i një vullkani në Spanjë u zhvillua nga 1730 deri në 1736, gjithashtu në ishullin Kanarie të Lanzarote – atje shpërthimi zgjati 2055 ditë, dhe sot për shkak të një mjedisi të tillë të formësuar Lanzarote është një nga destinacionet më tërheqëse turistike.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re