Ai përpara dy vitesh vinte për herë të parë të ekspozonte në “La Maison de l’Albanie”, Paris, mbasi kishte hapur disa ekspozita në qytete të ndryshme të Italisë, shkruan miku i tij, Zamir Mati. Qenë miqtë e tij të kohës së rinisë Gen dhe Fulvia Dollmeni Shtëpani, që i propozuan këshillit drejtues të “Maison D’albanie” mundësinë e një ekspozite të shokut të tyre, që jetonte prej vitesh në rrethinat e Romës.

 

“Kështu që në tetorin e vitit 2017 midis miqsh dhe dashamirësish të artit të tij u ekspozuan 48 akuarele, pastele, vizatime me karbon, një llojshmëri teknikash me subjekte të thjeshta të peizazheve vjeshtakë plot ngjyra dhe të hedhura spontanisht dhe me emocione plot ndjenjë ndaj ngjyrave dhe siluetave të ndryshëm e të papritur.

 

Piktori me dosjen dhe çantën e tij për 10 ditë të ekspozitës zbuloi dhe punoi gjithë frymëzim skica dhe motive të shpejta e të papritura nga Parisi”, kujton Zamir Mati. Ai mban mend që vernisazhi ishte një kënaqësi sepse secili pëlqente dhe dëshironte të zgjidhte për koleksionin e tij a të saj, punimin e këtij piktori të heshtur e të veçantë e kështu në mbyllje të ekspozitës, sekush do të kishte veprën plot ngjyra të qarta e transparente.

 

Në vernisazh morën pjesë miq të shumtë dhe ia disa mendime të atëhershme. Botuesja Anila Bisha, shkruante se me të “gjen shtëpi shqiptarësh dhe artin e tyre në zemër të Parisit, faleminderit Agim Mujo dhe ‘La Maison de l’Albanie’”. Njëheri, pianistja Tixhe Dedja e uronte me fjalët: “Urime dhe përgëzime Agim Mujo”! Kënaqësi për mua që isha pjesë e asaj mbrëmjeje! Pothuaj në mbërritje të ekspozitës së këtij tetori, Mujo u duk se i tradhtoi të gjithë, krejt papritur.

 

KUR PËRGATITEJ EKSPOZITA

Fulvia Shtepani e përshkruante me shumë dashuri fazën e përgatitjes së ekspozitës. “Të emocionuar nga veprat në akuarel të realizuara me një mjeshtëri të jashtëzakonshme si dhe nga thjeshtësia e këtij artisti të vërtetë, ‘La Maison de l’Albanie’ me kërkesën e piktorit do ta priste për ekspozitën e tij të re pikërisht mbas dy vjetësh, në datën 17 tetor 2019.

Në kontaktet paraprake të ‘Maison de l’Albanie’ me piktorin u shkëmbyen mesazhe për realizimin sa më të mirë të ekspozitës së re dhe duke dërguar ndërmjet të tjerave edhe imazhet e akuareleve”, thotë Shtepani. Vëren se qysh në ditët e para të shtatorit u realizua edhe pllakati i saj.

“Një kënaqësi për organizatorët, por veçanërisht për piktorin Agim Mujo, i cili duke shfrytëzuar rrjetet sociale e shpërndau plot besim e kënaqësi për miqtë, shokët e dashamirësit e artit të tij. Por, fatkeqësia e ndau prej të gjithëve, prej vajzës prej motrës…

Një e papritur e hidhur…”, shënon Shtepani, për ndarjen nga jeta të Agim Mujos. E megjithatë, Shtepani thotë se në homazh të këtij artisti të filmave shqiptarë, këtij piktori të heshtur, të vërtetë e me plot krijimtari me tingëllim muzikor ashtu si ai dinte të luante bukur me kitarë; ‘La Maison de l’Albanie’ vendosi duke i marrë leje edhe familjes të hapte në ditën e caktuar ekspozitën homazh në nderim të artistit.

I fiksuar për shumë nga publiku në filmat shqiptarë “Malet me blerim mbuluar” dhe “Guximtarët”, për të tjerë si piktor dhe vëlla i aktores Yllka Mujo, ekspozita pati punime të koleksioneve të miqve të tij. “‘La Maison de l’Albanie’ realizoi në teknikat informatike katër nga punimet, të cilat piktori do t’i ekspozonte. Po ashtu, u realizua në dimension 4m x 3m një instalacion me 110 foto portret të artistit Agim Mujo”.

 

KUJTIME

Miku i rinisë së Agim Mujos, Kujtim Abdi, kishte shkruar se, “mezi prisja sa të vinte pasditja e nisesha gjithë gëzim për te Gimi. Trokisja lehtë dhe dera hapej pa zhurmë me vështrimin e syve të tij të mëdhenj ftues.

Pa fjalë më drejtonte për te dhoma e tij”. Kujtonte mandej se, “me ritin e një dashurie private merrte kitarën ndër duar, i afronte kokën me drejtimin e veshit për nga telat dhe fillonte mbi ta të puthiste gishtat duke prodhuar tinguj ëndërrimtarë.

Kështu pa fjalë kalonin pjesët një nga një, bourréee, rondó, minuetto, pavane, sarabande… të gjitha sipas transkriptimeve të Segovias”. Abdiun thekson se, “e shihja të ishte i lumtur.

Nuk kërkonte asgjë, veçse ndonjë partiturë të re ta ushtronte të nesërmen. Shumë pjesë i mësonte vetëm me veshë në një kohë fare të shkurtër falë talentit të rrallë që zotëronte. Me hapat e shpejtë, plot jetë e dinamizëm, me një frymëzim që s’i mbaronte, plot energji e dëshirë kalonim dhe urën e Lanës.

Gjethet e fundit të vjeshtës shkëputeshin nga degët e mbas tyre shikohej hëna e qeshur, që me dritën e saj zgjaste hijet tona të vraponin në ndjekje të dritës. Më vinte keq që përcjellja po mbaronte, po i afroheshim shtëpisë sime e mbas pak duhet të ndaheshim”.

Atij i buronte një energji e fshehtë nga jashtë, e pakuptueshme se nga i vinte, por me kohë Kujtim Abdiu kuptoi se ai ishte në gjendje të prodhonte pa reshtur brenda vetes e kjo instinktivisht i furnizonte energjinë.

“Nuk bënte kurrë kompromise e as e duronte hipokrizinë e shtirjeve të medaljeve që t’i varin në gjoks mbas vdekjes. Për këtë ishte i gatshëm të shijonte humbjen e kurrë nuk e kam dëgjuar të moralizonte virtytin, por vetëm ta ekzekutonte me shembullin e vet.

Sot Gimi e ka lënë kitarën, pikërisht në stinën e vjeshtës, të varur në këtë vizatim, por unë jam i bindur se aty ku po ecën, ai vazhdon të këndojë po të njëjtat pjesë nën buzë, pa e ditur se është vetëm dhe se ku është.

Nuk ka rëndësi, sepse ai nuk ka kërkuar kurrë të dalë nga ajo që ishte dhe ajo që tash është bota e tij… Dhe pa e vënë re, përsëri më ka lënë ca hapa mbrapa!”, ka theksuar në një tregim për Agim Mujon, Kujtim Abdiu.

 

HOMAZHI

Mbrëmjen homazh për artistin e filmit shqiptar dhe piktorin Agim Mujo e hapi me fjalën e tij presidenti i “La Maison de l’Albanie”, Gjergji Themeli. Pas heshtjes emocionale, Themeli ia dha fjalën “Piktorit të Merituar” Zamir Mati, i cili foli për vlerat e këtij artisti dhe piktori të veçantë që me urtësinë, heshtjen, filozofinë prej artisti ka vend të padiskutueshën në artin kombëtar shqiptar jo vetëm nga origjinaliteti i veprave që ka realizuar, por mjeshtërisë artistike plot veçanti.

Ai propozoi që me lejen e familjes “La Maison de l’Albanie” të realizojë një libër album dhe të botojë në vazhdën e serisë së librave për pikturën dhe piktorët që ajo tashmë ka realizuar. Sipas Agron Gjergjit, duke falënderuar aktoren Yllka Mujo për praninë e saj në ekspozitën homazh për të vëllain, i dorëzoi asaj diskun informatik me të gjitha fotot dhe imazhet e punimeve të piktorit dhe artistit Agim Mujo, të cilat u shfaqën në teknikën e diaporama në ekranet gjatë ekspozitës homazh.

 

 

/aktoretshqiptare.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re