Analisti Mentor Nazarko tha se publikimi i bisedës telefonike mes shefes së grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila me deputetin e Listës Serbe, Slavko Simiç vë në dyshim besueshmërinë e partisë. Në “News Line” me Viol Xhafaj, ai theksoi se ‘VV ka rënë në grackat që ia ka ngritur vetë vetes’.

“Nëse VV nuk do të kishte përdorur këtë gjuhë, nëse nuk do të kishte mohuar kontaktet me të dhe nëse nuk do të kishte mbajtur këtë qëndrim siç e ka sot ndaj faktorit serb në veri kjo bisedë do të dukej normale.”, theksoi Nazarko ndërsa u pyet nëse bëhet fjalë për një lojë sa i përket situatës në veri.

Sipas analistit, qëndrimet dhe veprimet e VV në veri lidhet me faktorin elektoral. Nazarko thotë se Kurti synon që nëpërmjet tensioneve dhe shndërrimit të dialogut Kosovë-Serbi në një ndër çështjet më të rëndësishme ndërkombëtare, të faktorizohet përtej Kosovës dhe Ballkanit.

“Nuk mund të them se kjo që ka ndodhur kohët e fundit është një lojë por një angazhim me frymëzim të qartë elektoral. Ky lloj angazhimi, me këtë lloj veprimesh si i targave, i qëndrimit të serbëve në institucione, apo vendosjes së kryetarëve në godina, janë një sërë veprimesh që në sondazhe përkthehen në rritje të mbështetjes elektorale të Kurtit. Kurti synon gjithashtu edhe të protagonizohet në një skenë politike që nuk është thjesht kosovare, ballkanike por edhe ndërkombëtare, duke shndërruar dialogun Kosovë-Serbi në një nga dy tre çështjet më të rëndësishme ndërkombëtare. A e bën këtë për qëllime që i dalin jashtë këtyre që thashë? Kjo mbetet për t’u parë. Në alibinë qe përdoret nga Kurti është fakti që Kosova ndihet e dobët në dialogun me Serbinë. Duket që BE favorizon Serbinë dhe për t’u barazuar dhe rritur peshën e vet ka zgjedhur të bëjë të ashprën dhe agresiven në veri. Përgjimet tregojnë se ka një prapavijë dhe kontekst që tradhton këto qëllime. “, tha Nazarko.

I pyetur për qëndrimin e opozitës, e cila ka kërkuar një mocion mosbesimi për qeverinë Kurti, Nazarko theksoi se pas mund të qëndrojnë ndërkombëtarët.

“Dalja e këtyre përgjimeve ka një frymëzim që mendoj se është ndërkombëtar. Ndërkombëtarët të lodhur nga përplasja me qeverinë Kurti kanë menduar që ta hedhin në skenën publike një përgjim të tillë. Media që është zgjedhur për ta përçuar këtë përgjim është e pozicionuar fuqishëm kundër Kurtit. Kësisoj nëpërmjet një medie si kjo zgjidhet që të jepet më shumë besueshmëri përgjimit. Dhe në një kontekst si ky, ku kemi një angazhim ndërkombëtar që të dobësojë qeverinë Kurti, opozita ndihet e trimëruar dhe kompaktësohet për të arritur masën kritike për ta rrëzuar me mocionin e mosbesimit.”, përfundoi Nazarko.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re