Numri i njerëzve në prag të urisë në 43 vende ka arritur në 45 milionë pasi pasiguria ushqimore është rritur ndjeshëm në mbarë botën, ka paralajmëruar Programi Botëror i Ushqimit (WFP).

Kërcimi nga 42 milionë në fillim të vitit në 45 milionë njerëz që kërcënohen nga uria sot është pasojë e situatës në Afganistan, ku tre milionë të tjerë po përballen me urinë, sipas agjencisë së OKB-së me qendër në Romë.

“Dhjetëra miliona njerëz janë në buzë të një humnere. Konfliktet, ndryshimet e politikave dhe COVID-19 kanë rritur numrin e njerëzve të uritur”, tha CEO i WFP, David Beasley, transmeton AFP.

“Shifrat e fundit tregojnë se 45 milionë njerëz janë në prag të urisë,” tha ai pas një udhëtimi në Afganistan ku WFP solli ndihma për gati 23 milionë njerëz.

Përballë një zgjedhjeje “të tmerrshme”

“Çmimet e karburanteve po rriten, çmimet e ushqimeve janë rritur, edhe plehrat po bëhen më të shtrenjta, të gjithë këta faktorë po nxisin një krizë të re si ajo që po ndodh tani në Afganistan me kriza tashmë të vjetra si ato në Jemen dhe Siri,” tha ai.

Për të parandaluar urinë në botë nevojiten shtatë miliardë dollarë, që është një rritje krahasuar me 6.6 miliardë dollarë në fillim të vitit.

Megjithatë, mekanizmat tradicionalë të financimit janë të mbingarkuar, paralajmëron OKB.

WFP thekson se familjet po përballen me zgjedhje “të tmerrshme”: ato detyrohen të martohen me vajza gjithnjë e më të reja, të tërheqin fëmijët nga shkolla ose t’i ushqejnë me karkaleca, gjethe kaktusi.

Pasiguria ushqimore

Raportet e mediave nga Afganistani paralajmërojnë se familjet janë “të detyruara të shesin fëmijët e tyre në një përpjekje të dëshpëruar për të mbijetuar”, sipas OKB-së.

Thatësirat e shumta në Afganistan të kombinuara me kolapsin ekonomik kanë goditur rëndë familjet.

Në Siri, 12.4 milionë njerëz nuk dinë të sigurojnë vaktin e tyre të ardhshëm dhe se pasiguria ushqimore është më e madhja që nga fillimi i luftës dhjetë vjet më parë në atë vend, thotë WFP.

Uria është e pranishme në Etiopi, Haiti, Somali, Angola, Kenia dhe Burundi, shtoi ai. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re