Nga: Abdi Baleta

Ky është titulli i një libri studimor polemizues, i shkruar nga Martin Shaw, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Sussex, dhe i botuar në Britaninë e Madhe në vitin 2007. Për thelbin e pyetjes së shtruar në titullin e këtij libri lexuesi i revistës “Shenja” besoj e ka marrë të mjaftueshëm shpjegimin profesional në numrin e muajit të kaluar nëpërmjet shkrimit “Gjenocidi dhe (sh)përbërja e shtetit jo funksional të Bosnjë e Hercegovinës”. Por e gjykoj të dobishme të paraqes kalimthi një skicë të trajtimit të këtij subjekti në shkrimin e prof. Shaw dhe në dy libra studimorë që lidhen shumë dhe me ngjarjet gjenocidale në zonën e Ballkanit. Librin “Balkan Genocides. Holocaust and Ethnic Cleansing in the Twentieth Century” (“Gjenocidet ballkanike, Holokausti dhe spastrimet etnike në shekullin XX” SHBA 2007), i shkruar nga Paul Mojzes, profesor i religjioneve në Rosemont College, i cili deri në moshën 17-vjeçare ka jetuar dhe ka qenë shkolluar në Serbi. Kurse librin “Death and Exile. The Ethnic Cleancing of Otoman Muslims” (“Vdekje dhe dëbim, spastrimi etnik i myslimanëve osmanë” 2015, botuar dhe në shqip në Tiranë) e ka shkruar Justin McCarthy, profesor në Universitetin e Luisville.

Në këta tre libra trajtohen teorikisht dhe me plot fakte në rrafsh politik, diplomatik, religjioz, demografik, terminologjik shfaqjet e praktikat e “Gjenocidit” në Ballkan qysh para dhe pasi u kristalizuan në literaturën studimore dhe në dokumente politike e diplomatike ndërkombëtare. Konceptin dhe kuptimin terminologjik të “Gjenocidit” në përgjithësi dhe të “…cideve” të tjerë, që janë në qarkullim si mutacione të konceptit bazë, prof. Shaw e ka nisur nga trajtimi i parë teorik që bënte Rafael Lemkin në vitin 1933, kur përpunonte një projektligj për të ndalur “barabarinë” (shkatërrimin me dashje të bashkësive kombëtare, raciale, fetare) dhe “vandalizmin” (shkatërrimin e veprave të artit e të kulturës). Termi “gjenocid” lindi nga bashkimi i termit grek “genos” (racë, fis) me termin latin “cide” (të vrasësh). Kështu mori përgjigje dhe shqetësimi i Uinston Çërçillit, që gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte shprehur për krimet e nazizmit: “Jemi para një krimi pa emër të vetin”. Emërtimi i këtij krimi u vendos në vitin 1948 me Konventën e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës të Kombeve të Bashkuara që hyri në fuqi në vitin 1951. Nga ajo kohë “gjenocidi” mori cilësimin si “krimi i krimeve”. Por, Lemkini i përmbahej idesë se “Gjenocid nuk do të thotë vetëm luftë. Ai është më i rrezikshëm se lufta.” Profesori Shaw është i mërzitur që në diskutimet për dhunën politike pas viteve 1940-të është shmangur mjaft përdorimi i fjalës “gjenocid”, ngaqë shtetet e mekanizmat ndërkombëtarë frikohen se po të pranohet lehtësisht se në çdo masakër jemi para një “gjenocidi” ata e kanë të vështirë të ndërmarrin veprime për ta parandaluar. Ndërkohë hyri në përdorim si kufi më i lartë i tmerrit termi “Holokaust” dhe termi“ spastrim etnik” si eufemizëm për krimin e “gjenocidit”, për të justifikuar mosndërhyrjen kundër tij në çdo rast. Shaw është ndalur në analizën e debateve lidhur me atë se sa dhe kur “spastrimet etnike” duhen cilësuar si gjenocid. Ai nuk ka lënë pa përmendur se në Ballkan serbët e kroatët kanë lëshuar më së shumti kundër njëri-tjetrit akuza për gjenocide, sidomos gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por, ai thekson se spastrimet etnike në Ballkan janë më të vjetra se të përdorej fjala “gjenocid” për dukurinë e vrasjeve masive. Në Ballkan ato janë të njohura të paktën që nga Luftërat Ballkanike të vitit 1912-1913. Shaw si studiues të tjerë nuk lënë pa përmendur se klima e “Holokausti” mbi hebrenjtë në Gjermani u përgatit qysh me miratimin e Ligjeve të Jashtëzakonshme të Nurembergut në fund të viteve 1930-të. Në atë kohë edhe në Jugosllavinë monarkiste nxitej atmosfera antishqiptare me elaboratet e Çubrilloviqit e Andriqit për vrasjet e dëbimet masive të shqiptarëve, atmosferë që nuk ndryshoi në Jugosllavinë komuniste.

Që në fillim të studimit të tij, kur merret me përkufizimin e “gjenocidit”, prof. Mojsez shpreh emocionet e tij me zemërim “Sikur të ekzistonin ‘rregulla mburrjeje’ për shpalljen zonë e gjenocidit dhe spastrimit etnik, Ballkani mund të pretendonte për titullin e kampionit”. Mojzesi i ka përshkruar e analizuar të gjitha kacafytjet e pambarimta gjenocidale të popujve e shteteve të Ballkanit, që nga Lufta e Parë Ballkanike në 1912 e deri tek ajo më e fundit në vitin 1999. Në libër të vetmit janë shqiptarët që kanë mbetur pa u shënjestruar si ushtrues historikë të gjenocidit kundër ndonjë populli tjetër. Por, as shqiptarëve nuk u janë kursyer plotësisht qortimet pa vend, të formuluara nën ndikimin e propagandës serbe se shqiptarët në Kosovë kanë ndërmarrë spastrime etnike kundër shtypësve të tyre serbë. Megjithatë, Mojzesi e ka meritën se në librin e vet ka dhënë një pasqyrë shifrore sipas Komisionarit të Lartë të OKB-së për refugjatët mbi “valën e madhe të shqiptarëve që u dëbuan ose ikën nga Kosova” në fund të shekullit XX: “numri i përgjithshëm 848,100, nga të cilët 444,600 shkuan në Shqipëri, 244,500 në Maqedoni, 69,000 në Mal të Zi, 91,000 të tjerë në Bosnjë ose u trasportuan në drejtime të tjera me avionë. Mojsezi e thekson se nga një popullsi prej 2-milionëshe edhe më shumë se 500,000 të tjerë u zhvendosën nga vatrat e tyre brenda për brenda në Kosovë. Mojzesi e ka përfshirë në librin e tij edhe disa akuza që i bëheshin UÇK-së dhe shkruan me rezerva për disa deklarata të presidentit amerikan Klinton, që e përqaste spastrimin etnik në Kosovë me Holokaustin nazist. Ndër të tjera, Moizesi ka cituar fjalët e gjeneralit Uesli Klark “megjithëse serbët nuk kishin nevojë të vrisnin, sepse shqiptarët ishin të gatshëm të iknin, përsëri serbët vrisnin, përdhunonin, digjnin, grabisnin dhe kryenin krime të luftës e krime kundër njerëzimit, vetëm e vetëm nga dëshira për të ndëshkuar shqiptarët për të gjitha mjerimet që ata (serbët) mendonin se shqiptarë u kishin shkaktuar atyre gjatë disa dekadash”. Ky përshkrim, nga gjenerali Klark, i urrejtjes së serbëve kur kryenin gjenocidin mbi shqiptarët të sjell në mendje një thënie të ish-kryeministres së Israelit, Golda Mejer: “Ne kurrë nuk do t’ua falim arabëve që na detyruan t’ua bëjmë atë që u kemi bërë” (Ilan Pape, historian disident israelit “The Idea of Israel”, 2014, f. 34). Logjika që mund të çojë në spastrime etnike dhe krime gjenocidale qenka standarde.

Që Serbia kishte kryer gjenocid në Kosovë është vënë në dukje në nivelet më të larta dhe mjediset më me përgjegjësi të diplomacisë ndërkombëtare për të marrë masa. Më 20 janar 2000 kryetari Komisionit për Punët e Jashtme në Senatin e SHBA, Xhesi Helms, ka mbajtur një fjalim të rëndësishëm programatik për diplomacinë amerikane dhe rolin e OKB-së, duke e  qortuar rëndë Këshillin e Sigurimit. Ai e ka mbrojtur me vendosmëri drejtësinë e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë: “Sllobodan Millosheviqi nuk mund të pretendojë të ketë sovranitet mbi Kosovën kur ai i ka vrarë kosovarët dhe trupat e tyre i ka bërë stivë ne varre masive… Në rastin e agresionit të Irakut kundër Kuvajtit në fillim të viteve 1990-të Këshilli i Sigurimit e kreu në mënyrë të admirueshme detyrën, por në rastin më të ri të Kosovës ai u paralizua. Që misioni paqeruajtës i OKB-së në Bosnjë ishte një katastrofë dhe dështim në mbrojtjen e popullit boshnjak nga gjenocidi serb është dokumentuar në një raport të freskët nga Kombet e Bashkuara”. Siç vihet re, Helmsi nuk përmend ndonjë raport edhe për gjenocidin në Kosovë. Shpjegimin pse ka ndodhur kështu e gjejmë në librin e Mojzesit: “Në maj të vitit 1999 Sllobodan Millosheviqi u akuzua nga Gjykata Ndërkombëtare për Krimet në Jugosllavi për krime kundër njerëzimit, pasi kishte dëbuar 750,000 kosovarë, të identifikuar individualisht si shqiptarë, duke përmendur shprehimisht masakrat në Serbicë, Gjakovë dhe Krushën e Madhe. Meqenëse Millosheviqi vdiq në Hagë para përmbylljes së gjykimit të tij, Gjykata nuk ishte më në gjendje të vendoste ligjërisht se çfarë kishte ndodhur në Kosovë”. Ky shpjegim nuk mund e nuk duhet ta mbyllë problemin përfundimisht, sepse krimi i gjenocidit, për të cilin ka qenë akuzuar Millosheviqi dhe akuzohet Serbia, nuk parashkruhet. Në librin e Moizesit ka mjaft elementë e vlerësime që duhen studiuar me kujdes nga specialistët shqiptarë.

Tani, njëzet e dy vjet pasi forcat ushtarake të NATO-s, të komanduara nga gjenerali Klark e shpëtuan Kosovën nga gjenocidi serb, qartë se përveç hakmarrjes për qëndresën e shqiptarëve në dekada, serbët tentuan të realizonin objektivin e tyre më madhor politik: shpopullimin e Kosovës nga shqiptarët dhe serbizimin e fizionomisë së saj demografike. Diplomacia amerikane prej vitesh e kishte vënë në dukje se në Jugosllavinë komuniste përgatiteshin ligje të jashtëzakonshme si ato të Nurembergut në Gjermaninë hitleriane për të gjetur “zgjidhjen finale” të problemit shqiptar në Kosovë me masakrimin e dëbimin e shqiptarëve. Kjo prirje nacional-shoviniste e përhershme serbe shpërtheu furishëm në vitet e Serbisë së Millosheviqit. Tani ajo po merr sërish tone më cinike e përmasa po aq të rrezikshme e më kërcënuese në Serbinë e Vuçiqit.

Mojzesi ka sqaruar se gjenocidin në Ballkan e kanë ushqyer dhe e ushqejnë dy dallime kryesore midis popujve e njerëzve: ndryshimet në identitetin etno-kombëtar dhe në identitetin fetar, që janë dy identitetet parësore të njeriut. Moisez ka dhënë ndihmesë të çmuar për të qartësuar debate nëse luftërat gjenocidale që imponoi Serbia në Ballkan duhen parë më shumë si rrjedhoja të konflikteve kulturore-fetare apo si lufta më së pari për qëllime e strategji të natyrës politike e strategjike laike midis kombeve e shteteve, sidmos kur bëhet fjalë për kontradiktat shqiptaro-serbe. Ai e thotë prerë “të gjithë liderët fetarë me të cilët kam biseduar më kanë thënë se luftërat e viteve 1990 në Ballkan nuk kanë qenë luftëra fetare, rrjedhimisht edhe konfliktet e përplasjet kanë qenë kryesisht mbi baza politike. Mojzes shton se të “gjithë kundërshtarët në këto konflikte të viteve 1990 e kanë përdorur fenë… Pikëpamja ime është se këto ishin luftëra fetare të bëra nga njerëz pa fe. Ato nuk ishin luftëra fetare klasike të bëra për teologji”. Mendime të tilla shërbejnë për të kuptuar se edhe konfliktet që kanë mbetur pa u zgjidhur nga këto luftëra nuk janë konflikte fetare, por përplasje mbi baza politike që presin zgjidhje me mjete politike dhe në rrafshin e politikës. Instrumentalizimi i fesë edhe në këtë rrafsh ushtron ndikimin e vet, sidomos kur bëhet fjalë për ndeshjet midis shqiptarëve me shumicë dërrmuese myslimane dhe kristosllavizmin, një term që Mojzesi dëshmon se ka hyrë tani vonë në përdorim.

Mendoj se libër me shumë vlera informuese e analizuese është edhe ai i shkruar nga profesori Justin McCarthy, ngaqë shqiptarët si komb me shumicën dërrmuese të besimit islam janë dy herë të kërcënuar, si për shkak të ndryshimeve etno-kombëtar me popujt fqinjë,ashtu edhe për shkak të ndryshimeve në besimin fetar. Në parathënien e botimit shqip vetë autori ka theksuar se shqiptarët pas Luftës Ruso-Turke 1877-1878 u ndodhën në zonën e katastrofës dhe “Luftërat Ballkanike 1912-‘13 u sollën shqiptarëve një prej katastrofave më të rënda të dëshmuara ndonjëherë nga popujt në Europë, një katastrofë që ata e vuajtën bashkë me myslimanët e tjerë të Europës Osmane”. McCarthy vë në dukje se: “Askush nuk i ka mbajtur shënim vdekjet e shqiptarëve teksa ato ndodhnin”, siç bëhej në zonat e tjera “ku ekzistonin mundësitë që të numëroheshin ata që kishin jetuar përpara luftërave.” Kjo dukuri kaq e dëmshme për shqiptarët vazhdon ende, për fat të keq. Statistikat dhe studimet akademike shqiptare janë të varfra për humbjet e njerëzore që po pëson kombi shqiptar në tërësi jo vetëm nga luftërat gjenocidale kundër tij, por edhe strategjia “gjenocidit të butë, të padukshëm”, që ushtrohet ndaj kombit shqiptar për t’i tjetërsuar sa më shumë fizionominë kombëtare të krijuar historikisht, për të rrudhur popullsinë shqiptare e trojet shqiptare, çka e paralajmëronte Pashko Vasa në kohën e Rilindjes, për të zëvendësuar kombin shqiptar me një konglomerat “shoqërirash shumetnike”. Disa zelltarë të këtij tjetërsimi midis vetë shqiptarëve kanë filluar të përdorin dhe termat “komb etnik” ose “komb multietnik”, pra bëhen bashkëfajtorë (pa e kuptuar ndoshta) në “gjenocidin e maskuar” (të ëmbëlsuar me panballkanizëm, eurocentrizëm e globalizëm), ku të çojnë tezat e fetishizuesve të integrimeve e të asimilimit të shqiptarëve nëpër njësira politike të kombeve të tjerë.

Dua të ritheksoj se nga tre librat, të cilëve po u referohem, më i veçantë më duket libri i profesorit Martin Shaw për shtrimin e trajtimin e dukurisë komplekse të “gjenocidit” nga disa këndvështrime teorike dhe në stil dukshëm polemizues. Ky libër është më i veçantë, sepse së pari kërkon të gjejë vendin e “gjenocidit” në klasifikimin e krimeve sociale, pra ndjek një qasje sociologjike në analizën e dukurisë. Madje, pjesën e dytë (gjysmën) e librit autori është kujdesur ta titullojë “Sociologjia e Gjenocidit”. Ky është një trajtim tejet i sofistikuar i problemit të “gjenocidit”, që nuk ka kuptim të ceket në një shkrim të kufizuar publicitik. Ndërkaq në gjysmën e parë autori është ndalur edhe në renditjen e disa “mutacioneve” që kanë pësuar koncepti dhe terminologjia mbi dukurinë e “gjenocidit” dhe rreth “…cideve” të ndryshëm, sidomos pas miratimit të Konventës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së mbi luftën kundër “gjenocidit”. Së pari bien në sy se është krijuar tashmë njëfarë shkalle hierarkike për klasifikimin e rrezikshmërisë së shfaqjeve të ndryshme të dënueshme si “gjenocid”, ku në maje fare vendoset ndëshkimi i një shfaqjeje të vetme unike të emërtuar posaçësrisht “Holokaust”. Pastaj radhitet kategoria me bazë më përmbledhëse e dukurisë siç është përkufizuar në Konventën e OKB-së për të mbrojtur grupet shoqërore të cilëve u rrezikohet ekzistenca për arsye të dallimeve racore, etnike, kombëtare, fetare. Këtij trungu tashmë i ngjiten edhe teza mbi “…cide për shkaqe politike, klasore” deri për “auto-gjenocid”.

Në libër trajtohen çështjet kur “spastrimit etnik” identifikohet si “gjenocid”, si dhe kur kemi të bëjmë me “dëbim jo-gjenocidal”, si transferimet ose këmbimet me marrëveshje të popullsive. Në libër bëhet fjalë për “etnocid” e “kulturociod” për të cilët dëgjojmë të flitet dhe në propagandën e rëndomtë. Por më shumë të tërheqin vëmendjen termat me të cilët nuk jemi mësuar si “gendercid”, i ngritur mbi dallimet gjinore; “politicide”, i sajuar mbi dallimet politike; “urbicid”, për të karakterizuar ndryshimet urbane, sidomos kur ndodhin rrënime qendrash të mëdha të banuara; e deri “auto-gjenocid”. Kështu, termi “gjenocid” tani merr pamjen e funksionin e një kornize të përgjithshme, ku vërtiten gjithfarë variantesh që nuk trajtoheshin në Konventën e OKB-së.

Si shembull më tipik për “urbicidin” përmenden zbrazja totale nga banorët e kryeqytetit të Kamboxhias në vitin 1975, kur Kmerët e Kuq terroristë morën pushtetin pas tërheqjes së ushtrive amerikane vietnamezo-jugore. Por, në librat që përmenda ka shembuj të tjerë, si qytete ballkanike Sarajeva Osijeku, Prishtina etj., në dekadën e fundit të shekullit XX u bënë vatra të ushtrimit të “gjenocidit urban”. Më herët njihen tmerret që ndodhën në qytetet japoneze Hiroshima e Nagasaki pas lëshimit mbi to të bombave të para bërthamore. Rasti i Kamboxhias përmendet edhe si shembulli më rrëqethës i “auto-gjenocidit” kur fitimtarët në luftë u sulën me tërbim kundër popullit të vet dhe asgjësuan gjysmën e popullsisë së vendit. Si shembull më tipik i “politicidit” përmendet rasti kur ushtria e Indonezisë, nën komandën e gjeneralit Suharto, likudoi gati gjithë anëtarësinë e Partisë mjaft të madhe Komuniste, thuhej gati 500,000 anëtarë. Por, vrasjet masive të kundërshtarëve politikë kanë ndodhur sa herë janë bërë luftëra civile ose janë vendosur diktatura të egra në pushtet.

Në Shqipëri, në kohën e komunizmit, gjetën strehim disa anëtarë të Partisë Koministe të Indonezisë, janë pranuar luftëtarë të Organizatës për Çlirimin e Palestinës, grupe njerëzish të rrezikuar në vende të ndryshme. Tani përsëri në Shqipëri gjetën strehim ujgurë të kërcënuar në Kinë, grupe të rrezikuarish për arsye politike në Iran dhe në Afganistan. Në Shqipëri, në kohën e regjimit komunist, vinin e shkonin personalitetet më të larta të Kamboxhias, që bënin pjesë në Frontin e Çlirimit. Kanë ardhur së bashku edhe politikanë, që më pas u likuiduan, edhe drejtues të Frontit të Khmerëve të Kuq, që likuiduan të parët. Mbeti pa u sqaruar nëse nga udhëheqësit e Frontit të Khmerëve të Kuq kishte ardhur apo jo në Shqipëri personi që ishte në krye të këtij Fronti e që drejtoi auto-gjenocidin në Kamboxhia.

Në Shqipëri janë bërë diskutime për çështje që ia vlen të mësosh ende nga libri “Çfarë është gjenocidi”. Në parlamentin pluralist të Shqipërisë në vitet e para gjatë debateve për përcaktimin e kuadrit ligjor të zhdukjes së pasojave të regjimit komunist diktatorial është diskutuar edhe rreth një klauzole që ky regjim dhe njerëz të tij të dënoheshin dhe për kryerje të krimit të “gjenocidit kundër popullit shqiptar”, pra për “auto-gjenocid” dhe për vrasje të kundërshtarëve politikë të Partisë së Punës gjatë Luftës Civile dhe pastaj gjatë luftës së klasave, pra për “politicid”. Në librin e prof. Shaw mësojmë se debate të kësaj natyre paskan qenë bërë gjatë përgatitjes së Konventës së OKB-së për “gjenocidin”. Paskan qenë delegatët sovjetikë që kundërshtonin përfshirjen e një ideje të tillë në tekstin e Konventës. Edhe sot e kësaj dite, pas tri dekadash, në Shqipëri bëhet zhurmë se nuk janë dënuar si duhej as komunizmi, as krimet e komunizmit, pra mbetet terreni i hapur për debatin se si do të gjejë vend në legjislacion kategoria “politicid”.

Jo më pak ngacmues mund të bëhet terminologjia “auto-gjenocid” kur po jepen herë për shqetësim serioz, herë për demagogji politike, në të gjitha nivelet e pushtetit e të shoqërisë alarme se po bëhet shpopullimi i vendit. Në Shqipëri kanë ndodhur prej kohësh, nga viti 1993, episode legjislative që mund të çonin në hapje të portave për “auto-gjenocid”, kur sipas një kërkese të Greqisë pushtetarët dhe kryeopozitarët shqiptarë tentuan t’i impononin parlamentit një klauzolë kushtetuese që çdo shtetas i Shqipërisë të zgjidhte e të shpallte lirisht e sipas qejfit se cilit komb donte t’i përkiste. Tashmë shumë mërgimtarë shqiptarë që kanë shkuar të gjejnë punë në Greqi i janë nënshtruar trysnisë së organizuar të shtetit grek që të tjetërsojnë emrat e besimin që kanë pasur dhe të regjistrohen si “grekë homogjenë”. Ky është “auto-gjenocidi”(!). Në Kosovë ka vite që bëhet zhurmë e madhe nga individë e mjedise të caktuara që të imponohen ideja dhe projekti i krijimit të kombit kosovar, i veçuar e i ndryshëm nga kombi shqiptar në Shqipëri. Një projekt i parealizueshëm kaq lehtë, por gjithsesi i dëmshëm e ngatërrestar se lustron e “shfajëson” kategorinë e “auto-gjenocidit” midis shqiptarëve.

Pra, librat si këto që përmenda nuk duhen lexuar vetëm për erudicion, por edhe për të kuptuar më mirë se me çfarë rrethanash kërcënuese e zhvillimesh delikate përballen shqiptarët kur është fjala për ruajtjen e identitetit të tyre kombëtar, për përmbushjen e aspiratës për bashkim kombëtar dhe për forcimin e nacionalizmit shqiptar si rruga më e sigurt që të mbrohen nga të gjitha politikat gjenocidale që veprojnë kundër tyre.

#Shenja.tv

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re