
Sipas asaj që raporton britanikja “The Telegraph”, ish trajneri i Real Madrid dhe Bayer Leverkusen Xabi Alonso përmendet si një nga tre emrat që mund të zëvendësojë Pep Guardiolën në stolin e Manchester City.
Në rrethet e Premier League po forcohet ideja se tekniku katalanas mund të largohet nga “Etihad” në fund të këtij sezoni, duke mbyllur një cikël 10-vjeçar në krye të ish-kampionëve të Anglisë.
Dy emrat e tjerë që përfliten për ta zëvendësuar janë: Enzo Maresca dhe Cesc Fabregas.
Megjithatë, klubi ka mohuar zyrtarisht këto zëra, duke i quajtur thjesht spekulime. Pavarësisht deklaratave publike, media britanike thekson se City po përgatitet në heshtje për çdo skenar të mundshëm.
Xabi Alonso, i lirë pas ndarjes së fundit me Real Madrid, konsiderohet një kandidat serioz falë profilit të tij taktik, vizionit modern dhe eksperiencës në futbollin elitar evropian.
Spanjolli vlerësohet veçanërisht për aftësinë për të ndërtuar shpejt skuadra konkurruese dhe të balancuara.
