Minsitrja Olta Xhaçka ka shprehur falenderime për mbështetjen e dhënë nga Bashkimi Europian për situatën e vështirë në vend të krijuar pas tërmetit të 26 nëntorit.

 

Në konferencën e përnbashkët për shtyp të mbajtur me ambasadorin e BE, Luigi Soreca, Xhaçka tha se një eksperiencë të tillë traumatike mund ta kuptojnë vetëm vendet që e kanë kaluar.

 

“Ta dish, që nuk je i detyruar të përballesh i vetëm me furinë e natyrës, por mund të mbështetesh tek solidariteti i miqve e partnerëve ndërkombëtarë. Aktivizimi i Mekanizmit të Mbrojtjes Civile, tregoi edhe njëherë, ashtu si dy vjet më parë gjatë përmbytjeve që prekën Vlorën, Fierin apo Shkodrën, apo si dy muaj më parë pas tërmetit që goditi vendin më 21 Shtator, që Shqipëria nuk është vetëm. Përkundrazi, ka miq, aleatë e partnerë që nxituan të sillnin ekipe e tyre më të specializuara për kërkim shpëtim, ekspertë të vlerësimit të dëmeve apo qindra ton ndihma që janë shpërndarë dhe shpërndahen sot në zonat e dëmtuara, duke lehtësuar dhimbjen dhe traumën e jahstëzakonshme.”

 

Për Xhaçn tërmeti i datës 26 ishte vërtet shumë i fortë dhe dëmet që shkaktoi kanë qenë të jashtëzakonshme.

 

“Patjetër  edhe sfida e përballimit të këtyre dëmeve do të jetë vërtet e vështirë.Por sado e vështirë që të jetë, sado punë të duhet, jam e bindur që së bashku do t’ia dalim. Jam e bindur që do t’ia dalim që të rindërtojmë Durrësin e Thumanën, çdo banesë e ndërtesë të shembur e dëmtuar. Ajo që më mundon vërtet, që na mundon të gjithëve, janë jetët e humbura. Është një nga ato fakte, që mendja e shpirti e kanë të vështirë ta pranojnë e ta kuptojnë. Do të duhet të kalojë kohë përpara se plagët të shërohen. Bëmë gjithçka që mund të bënim për të ndihmuar këdo që kishte nevojë për ndihmë. Për të shpëtuar jetë. Reaguam me shpejtësi që në minutat e para dhe efektivët e FA, të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit mbërritën në një kohë jashtëzakonisht të shkurtër në zonat më të prekura  për të ndihmuar çdo banor në nevojë. Duke lënë në shtëpitë e tyre familjet e tyre për tu ardhur në ndihmë të gjithë banorëve në zonat e prekura.”

 

Teksa shprehu falenderime për të gjitha vendet që ndihmuan vendin, Xhaçka tha se një situatë e tillë do të ishte e vështirë edhe për vendet e zhvilluara.

 

“Të 780 ekspertët nga 14 vende që luftuan aq shumë për shqiptarët, do të kenë përjetë mirënjohjen tonë.  Por unë besoj që pjesa më e vështirë e kësaj situate fillon tani. Sepse dëmet materiale janë vërtet të mëdha.”

 

Minsitrja njoftoi gjithashtu në konferencë se është bërë vlerësimi I 400 banesave nga ana e ekspertëve ndërsa nënvizoi se shifrat paraprake flasinë për përmasa apokaliptike të dëmtimeve.

 

“Grupi i Ekspertëve të Vlerësimit të Banesave i përbërë nga 70 ekspertë inxhinierë vendas dhe të huaj, të organizuar në 11 grupe, mbështetur edhe nga Mekanizmi i Përbashkët i Emergjencave Civile të Bashkimit Europian dhe Kombeve të Bashkuara, po vazhdon vlerësimin teknik të ndërtesave duke e çuar në 400 numrin e objekteve të vlerësuara. Por këto shifra janë paraprake, sidomos për Durrësin ku deri dje të gjitha energjitë ishin përqendruar në operacionet e kërkim shpëtimit. E megjithatë edhe këto shifra paraprake flasin për përmasat apokaliptike të dëmtimeve.”

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re