Skip to content

Xhaçka në Dibër: Asnjë punonjës i shtetit nuk ka imunitet politik

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka deklaroi para banorëve të njësive administrative  Sllovë e Fushë Ali, në qarkun e Dibrës se asnjë zyrtar i shtetit nuk ka imunitet politik nëse nuk kryen me përgjegjshmëri detyrën.
 
Gjatë turit të llogaridhënies publike, si e ngarkuar e qeverisë, ministrja Xhaçka kërkoi të dijë nga banorët shqetësimet, me të cilat ata përballen çdo ditë.
 
 
“Dua që të dini se, asnjëri prej nesh nga unë e para apo çdo përgjegjës i zyrave të shtetit që është sot këtu, nuk ka imunitet politik nëse nuk mund ta bëjmë  me përgjegjshmëri dhe me aftësi ashtu siç duhet punën. Duke i shërbyer gjithsecilit sipas pritshmërive  që keni për ne.  Edhe kjo është shumë e rëndësishme, prandaj kemi ardhur që  të na thoni çfarë nuk shkon, çfarë nuk arrini të zgjidhni në zyrat e shtetit, çfarë do donit që ta bënit më mirë  dhe si mund t’ju ndihmojmë që hallet që keni  t’i çojmë përpara bashkërisht  për t’i adresuar”.
 
 
Duke bërë krahasimin me buxhetin e një familjeje, ministrja Xhaçka tha se duhen vendosur disa prioritete, pasi nevojat janë të shumta dhe mundësia është e vogël për t’i bërë të gjitha.
 
 
Ministrja u premtoi banorëve të Sllovës e Fushë Aliut, se do të ketë të tjera takime për të vendosur për investimet që duhen të parat, siç janë kanalet vaditëse apo rrugët.