Ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka theksoi se ka prova të mjaftueshme që tregojnë se sulmi kibernetik në Shqipëri është organizuar dhe sponsorizuar nga Irani. E pranishme në takimin mbi sigurinë kibernetike në Këshillin e Sigurimit të organizuar nga Shqipëria dhe SHBA-ja, Xhaçka shtoi se akte të tilla përbëjnë një kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare dhe duhet të trajtohen si të tilla.

“Hetimet e plota të zhvilluara ndër muaj, kanë zbuluar prova të padiskutueshme se ky sulm kibernetik ishte orkestruar dhe sponsorizuar nga Shteti Islamik i Iranit nëpërmjet angazhimit të disa aktorëve jo shtetërore që kryen këtë sulm. Ai përfaqëson një shkelje flagrante të normave të përgjegjshme të sjelljes së një shteti në hapësirën kibernetike, një sulm ndaj një vendi sovran”, tha ministrja.

Xhaçka përmendi gjithashtu qëllimet e Rusisë në Evropë, sidomos vendet e Ballkanit Perëndimor që janë shënjeshtruar sistematikisht nëpërmjet fushatave të manipulimit të informacionit. Sipas saj, interneti dhe teknologjia nuk duhet të përdoren si ‘armë’ por të jenë mjete për të mirën e përbashkët.

“Shqipëria rithekson pozicionin e saj në favor të një hapësire kibernetike globale, të hapur, të lirë, të qëndrueshme dhe të sigurt, ku respektohen ligjet ndërkombëtare, të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, në dobi të zhvillimit social, politik dhe ekonomik. Për Shqipërinë, interneti dhe teknologjia nuk janë e nuk duhet të përdoren si armë. Ato duhet të mbeten mjete e forca për të mirën e përbashkët”, përfundoi ministrja.

Fjala e plotë e ministres Xhaçka në Këshillin e Sigurimit

Të nderuar kolegë,

Unë do të doja të falenderoja USG Nakamitsu, znj. Marietje Schaake dhe znj. Moliehi Makumane për perceptimet e rëndësishme, si dhe për sugjerimet e mirë menduara, të tyre. Edhe pse ka kaluar kohë, vlerat dhe parimet e dakordësuara në Kartën e OKB-së, 78 vjet më parë mbeten po aq të vlefshme edhe sot, pavarësisht sfidave dhe zhvillimeve. Reflektimi i tyre në një realitet dixhital, gjithnjë në rritje, është shumë i rëndësishëm, si për të tashmen dhe të ardhmen. Ne jetojmë në një botë që zhvillohet dita-ditës, një botë që ndryshon çdo ditë. Teknologjia që gjen zhvillim të vrullshëm, dhe inovacioni i pandërprerë po ndikojnë në çdo aspekt të jetës tonë, duke përcaktuar edhe të ardhmen. Por na takon ne të përcaktojmë rrugën që duhet të marrë teknologjia në mënyrë që fuqia ndryshuese (inovative) e teknologjisë t’i shërbejë fuqizimit individual dhe të forcojë njohuritë, përparimin dhe barazinë. Gjatë dekadës së fundit, ne kemi ndërtuar gradualisht një shoqëri dixhitale në rritje në Shqipëri. Aktualisht, më shumë se 1200 shërbime kryesore qeveritare ofrohen në internet. Rutina e administratës tonë publike po bëhet çdo ditë e më shumë pa letra. Këto tendenca, do të vazhdojnë të rriten. Kjo kërkon një hapësirë kibernetike të lirë, të hapur, të qëndrueshme dhe të sigurt.

Ndërkohë, që ne gëzojmë dobitë e tij, përparimi i shpejtë teknologjik mbart gjithashtu rreziqe dhe sfida. Siç kemi parë gjithnjë e më shumë gjatë viteve të fundit, aktorët keqdashës, shtetërorë dhe jo shtetërore, mund të përdorin – ose më mirë keqpërdorin – hapësirën kibernetike për të sjellë shkatërrim. Imagjinoni çfarë do të ndodhte nëse gjatë muajve të dimrit, rrjeti elektrik i një vendi do të ndërpritej, nëse shpërndarja e ujit do të ndërpritej, nëse strukturat e kujdesit shëndetësor do të pengoheshin të punonin ose nëse rrjeti i transportit do të ishte kaotik. Akte të tilla, mund të dëmtojnë sigurinë, zhvillimin ekonomik, qëndrueshmërinë e çdo vendi, dhe efektet humanitare mund të jenë shkatërruese. Kolegë, Jemi thellësisht të shqetësuar si pasojë e një rritjeje alarmante e sulmeve kibernetike që synojnë shtetet dhe infrastrukturat e tyre jetike. Vetëm këtë vit, më shumë se dyzet sulme kibernetike kanë prekur 19 vende.

Ne e kemi përjetuar vetë fuqinë dërrmuese të sulmeve të sofistikuara, që synojnë shkatërrimin e infrastrukturës jetike, fshirjen e përhershme të të dhënave kritike, rënien e të gjithë sistemit, duke lënë pas vetëm shkatërrim, me synimin për të destabilizuar dhe për të krijuar kaos dhe pasiguri. Ndodhi në Shqipëri në korrik 2022. Shërbimet e strukturave shtetërore më të domosdoshme, dhe thelbi i demokracisë tonë u vunë në rrezik. Hetimet e plota të zhvilluara ndër muaj, kanë zbuluar prova të padiskutueshme se ky sulm kibernetik ishte orkestruar dhe sponsorizuar nga Shteti Islamik i Iranit nëpërmjet angazhimit të disa aktorëve jo shtetërore që kryen këtë sulm. Ai përfaqëson një shkelje flagrante të normave të përgjegjshme të sjelljes së një shteti në hapësirën kibernetike, një sulm ndaj një vendi sovran. Dëmi u frenua, përpjekja dështoi, por ishte një dëshmi e brutalitetit të aktivitetit keqdashës kibernetik, veçanërisht përmes përfshirjes së kombinuar të aktorëve shtetërorë dhe jo shtetërore. Akte të tilla përbëjnë një kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare dhe duhet të trajtohen si të tilla. Gjej rastin të falënderoj partnerët tanë së pari SHBA-të, Bashkimin Evropian, Izraelin dhe Emiratet e Baskuara Arabe që kanë punuar dhe po punojnë krah për krah me ne për të ndërtuar qëndrueshmëri. Së bashku ne kemi arritur të pengojmë sulmet e njëpasnjëshme, duke mbrojtur infrastrukturën tonë kritike dhe njerëzit tanë. Muajin e kaluar, Autoriteti Kombëtar për Çertifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike në Shqipëri nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me Këshillin e Sigurisë Kibernetike të Emirateve të Bashkuara Arabe, duke nxitur kështu bashkëpunimin në fushën e Sigurisë Kibernetike mes dy vendeve.

Por këtu nuk është vetëm Irani. Dihet gjerësisht që veprimet e Rusisë kanë shkaktuar bllokime në komunikim, duke përfshirë edhe kundër infrastrukturës kritike, jo vetëm në Ukrainë, por edhe në pjesë të tjera të Evropës, duke sulmuar qëllimisht satelitin Viasat më 24 shkurt 2022, vetëm një orë para fillimit të luftës së paprovokuar dhe të pajustifikuar kundër Ukrainës. Vendet në Ballkanin Perëndimor janë shënjestruar sistematikisht nëpermjet fushatave të manipulimit të informacionit dhe ndërhyrjes në informacion, për të shkaktuar paqëndrueshmëri politike dhe për të minuar aspiratat e tyre euro-atlantike. Koreja e Veriut është bërë një shembull famëkeq i aktiviteteve të përsëritura keqdashëse dhe sulmeve kibernetike për të gjeneruar të ardhura të paligjshme, të cilat përdoren për të financuar armët e saj të shkatërrimit në masë dhe politikat e përhapjes së tyre, në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit.

Kolegë, Të gjitha shtetet anëtare janë të detyruara të respektojnë Kartën, duke përfshirë respektimin e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, dhe duhet të promovojnë një hapësirë kibernetike globale, të hapur, të qëndrueshme dhe të sigurt. Ne të gjithë kemi një rol për të luajtur, dhe ai rol fillon me vendosjen dhe respektimin e rregullave të pranuara së bashku. Kjo është arsyeja pse Shqipëria mbështet krijimin e Programit të Veprimit (PV), të iniciuar nga Franca dhe Egjipti, për të ofruar një kuadër për bashkëpunimin dhe dialogun ndërkombëtar mbi sigurinë kibernetike, zhvillimin dhe zbatimin e normave dhe parimeve ekzistuese dhe ndërtimin e kapaciteteve. Ne mbetemi gjithashtu të përkushtuar, për avancimin e mëtejshëm të kornizës tashmë të zhvilluar nga Asambleja e Përgjithshme për sjelljen e përgjegjshme të shtetit në TIK në kontekstin e sigurisë ndërkombëtare. Dua të theksoj gjithashtu se Këshilli i Sigurimit, me qëllim që të përmbushë detyrat e tij në përputhje me Karten e OKB-së, duhet të luajë një rol udhëheqës në promovimin e normave që reflektojnë sjellje të përgjegjshme nga shtetet, dhe të nënvizojë zbatueshmerine e ligjit ndërkombëtar për ato shtete anëtare që përdorin TIK. Duke identifikuar dhe dënuar sjelljen në kundërshtim me normat ligjore të shtetit dhe duke inkurajuar veprime pozitive për të përmirësuar sigurinë dhe stabilitetin e hapësirës kibernetike, Këshilli i Sigurimit mund të zvogëlojë rrezikun e konfliktit që rrjedh nga veprimet keqdashëse ose harresa.

Kolegë, Ne kemi mësuar gjatë dekadave se mund të arrijmë më shumë kur bashkohemi, nëpërmjet dialogut dhe bashkëpunimit, për të përfituar nga mundësitë e reja për përparim, dhe për t’u përballur me sfidat në rrugë. Shqipëria rithekson pozicionin e saj në favor të një hapësire kibernetike globale, të hapur, të lirë, të qëndrueshme dhe të sigurt, ku respektohen ligjet ndërkombëtare, të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, në dobi të zhvillimit social, politik dhe ekonomik. Për Shqipërinë, interneti dhe teknologjia nuk janë e nuk duhet të përdoren si armë. Ato duhet të mbeten mjete e forca për të mirën e përbashkët. Faleminderit.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re