Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, ndodhet në një vizitë zyrtare në SHBA ku ka nënshkruar marrëveshjen me Ministrinë e Mbrojtjes me Departamentin Amerikan të Mbrojtjes për modernizimin e Forcave të Armatosura shqiptare.

 

Sipas kësaj marrëveshje pritet që helikopterët “Black Hawk” shumë shpejt do të jenë pjesë e Forcës Ajrore shqiptare.

 

Gjatë vizitës në Pentagon, ministrja Xhaçka u prit nga sekretari i Mbrojtjes në detyrë, Patrick Shanahan. Ministrja teksa vlerësoi mbështetjen e ShBA-së, e siguroi zyrtarin e lartë amerikan se Shqipëria do të vazhdojë të jetë një aleat i denjë.

 

“Më lejoni të shpreh mirënjohjen e qeverisë shqiptare për administratën e amerikane për të qëndruar në mënyrë të vendosur me ne, në reformat kryesore që po ndërmarrim për të ndërtuar institucione më të forta demokratike dhe për të forcuar sundimin e ligjit. Veçanërisht për reformën në sistemin tonë të drejtësisë, i cili është vendimtar për procesin e pranimit në BE. Shpresojmë që brenda këtij viti të nisim punimet në bazën e parë ajrore të Aleancës në rajonin tonë, në Kuçovë, një zhvillim që besoj se e njeh rolin e Shqipërisë si një spirancë e stabilitetit në rajon dhe rrit rëndësinë tonë strategjike për Aleancën në tërësi.Gjithmonë mund të mbështeteni tek ne, sa herë që të lindë nevoja. Ushtarët tanë janë ushtarët tuaj.”

 

Nga ana tjetër sekretari Shanahan, është shprehur se Shqipëria është një partner i fortë, ndërsa nënvizoi ndër të tjera angazhimin e vendit tonë në misionet paqeruajtëse si dhe objektivin e qeverisë shqiptare për t’i dedikuar mbrojtjes, 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

 

Gjithahstu në këtë takim është diskutuar edhe në lidhje me rrezikun rus në rajon, ku dy zyrtarët e lartë kanë theksuar se janë partnerë të fortë edhe përballë këtij rreziku.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re