Seanca e nesërme parlamentare pritet të shoqërohet me debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës, pasi në rend dite janë dy interpelanca.
Njëra me Kryeministrin Edi Rama dhe një tjetër me zv.kryeministren për skandalin e mbetjeve toksike të “Kurum”. Për këtë çështje, kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi, ka kërkuar një interpelancë me kreun e qeverisë, Edi Rama. Ky i fundit do të jetë në seancë dhe me shumë gjasë do ta zhvillojë vetë interpelancën. Por gjithsesi nuk përjashtohet mundësia e delegimit te zv.krye-ministrja apo ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla. Niko Peleshi, i cili drejton grupin e deputetëve socialistë bëri me dije se sipas agjendës, Kryeministri Rama me shumë mundësi do të jetë i pranishëm. Ai theksoi se rregullorja e lejon që kjo kompetencë t’i kalohet edhe ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Pas mbledhjes së grupit, Peleshi u shpreh: “Rendi i ditës fillon me dy interpelanca, një interpelancë e Ramës me Bardhin për mbetjet e rrezikshme, një tjetër me zv.kryeministren. Pastaj është agjenda normale. Do jetë një interpelancë në zbatim të rregullores, me shumë gjasë në përputhje me agjendën e vet, Rama do jetë në seancë”. Gazmend Bardhi akuzoi para disa ditësh qeverinë dhe segmentet e saj si të përfshira në skandal, duke lejuar pa kontroll në Portin e Durrësit imbarkimin e 102 kontejnerëve me mbi 800 tonë mbetje nga shkrirja e furrës së çelikut, në anijet e “Maersk”.
Në kërkesën e Bardhit për interpelancë me Kryeministrin Rama, evidentohet se rastet e përsëritura të konstatuara të eksportit të Seanca e nesërme parlamentare pritet të shoqërohet me debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës, pasi në rend dite janë dy interpelanca. mbetjeve toksike ngrenë dyshime serioze se Shqipëria është përfshirë në një tregti të paligjshme ndërkombëtare të mbetjeve të rrezikshme.
ÇËSHTJA “XHAÇKA”
Në seancën e nesërme, çështja “Xhaçka” kalon për herë të tretë në parlament dhe deputetët do të duhet të vendosin me votë nëse mandatin e koleges së tyre do të çojnë në Gjykatën Kushtetuese apo sërish do të dalin kundër vendimit të saj. Kreu i grupit të PS, Niko Peleshi, në një prononcim për mediat tha pas mbledhjes me deputetët se PS nuk ka një vendim politik për këtë çështje, por secili do të votojë në seancë sipas këndvështrimit të tyre. Ndërkohë, të gjithë deputetëve u është kërkuar nga Peleshi që të jenë të pranishëm në seancën e së enjtes.
Peleshi u ndal edhe njëherë te Komisioni i Venecias, të cilit PS do t’i drejtohet për t’i kërkuar një opinion për këtë precedent. “Ne nuk i diskutojmë vendimet e Kushtetueses, nëse do të keni një kopje, do ta shini që kjo çështje është në rendin e ditës. Nuk është diskutuar, s’e trajtojmë si vendim politik. Vendimi i Kushtetueses është bërë i njohur do lexohet nga çdo deputet dhe jo PS. Grupi i PS s’ka vendim politik, do votohet në seancë. Do i drejtohemi ‘Venecias’ jo për këtë çështje, por duke u nisur nga kjo çështje, në parim për çdo situatë që mund të paraqitet në të ardhmen”, – tha kreu i grupit të PS, Niko Peleshi.
Kreu i grupit të PS u shpreh i hapur për diskutime me opozitën, në rast se kjo e fundit bën propozime konkrete për të rishikuar edhe njëherë Kodin Zgjedhor. I gjithë ky ngërç nisi pasi Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar me dy vendime Kuvendin që të çojë për shqyrtim mandatin e deputetes Xhaçka, raport të cilin mazhoranca socialiste e ka rrëzuar dy herë në parlament, nën argumentin se vota e deputetit është e lirë dhe nuk mund të kushtëzohet nga vendimet e Kushtetueses.
Çështja “Xhaçka” ka nisur që prej qershorit të vitit 2022, kur opozita kërkoi heqjen e mandatit të saj me argumentin se deputetja socialiste është në konflikt interesi për shkak të titullit investitor strategjik, që bashkëshorti i saj gëzon me vendim qeverie. Por koordinimi i punës në parlament dhe bashkëpunimin mes palëve ishte në fokus të diskutimeve edhe gjatë mbledhjes së thirrur nga kryeparlamentarja Elisa Spiropali mes 4 krerëve të grupeve parlamentare, Gazment Bardhi, Niko Peleshi, Mesila Doda dhe Agron Duka. Mësohet se kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka kërkuar nga palët që të mos bllokohet puna parlamentare dhe diskutimet mes mazhorancës dhe opozitës të vijojnë pa tensione dhe bojkote. Takimi vjen në nisje të sesionit të ri parlamentar, që pritet të sjellë tensione politike dhe agjendë të ngjeshur për shkak të nismave të paralajmëruara nga palët, siç janë komisionet hetimore nga PD-ja dhe reforma të reja nga PS-ja./Gazeta Panoram
